Lokale - eSIMy

Në Kuvendin e Komunës së Podujevës, sot është mbajtur seancë e jashtëzakonshme, e thirrur nga opozita, raporton Llapi.info.

Në këtë seancë u debatua gjerë e gjatë nga këshilltarët komunalë, mirëpo fundi i saj nuk doli siç duhet. Seanca, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Fatmir Gashi, u mbyll pa u hedhur në votim deklarata e VV-së për t’i nxjerrë nga kriza fermerët llapjanë që pësuan dëme nga reshjet e fundit, e që e njëjta u përkrah edhe nga këshilltarët tjerë opozitarë.

Këtë veprim, këshilltarët e VV-së e kanë quajtur jodemokratik dhe arbitrar.

“Sot, në Kuvendin Komunal të Podujevës u shemb demokracia. Në seancën e jashtëzakonshme lidhur me vërshimet, të iniciuar nga opozita, u propozua një deklaratë konkrete e cila do të nxirrte nga kriza fermerët e Komunës së Podujevës. Kolegët nga LDK, të cilët vuajnë nga autoritarizmi brendapartiak nuk guxuan ta votojnë këtë deklaratë me të vetmen arsye se është e propozuar nga LVV. Për më keq, kryesuesi i kuvendit ndërpreu në mënyrë arbitrare këtë seancë duke mos hedhur në votim propozimin e LVV (i cili e pati përkrahjen e gjithë opozitës) përkundër se e ka për obligim ligjor dhe procedural ta hedhë në votim, dhe nuk ka asnjë kompetencë tjetër vlerësimi mbi të, kështu duke e vënë Kuvendin Komunal, në mënyrë arbitrare, në kundërshtim me ligjin, sikurse në regjime totalitare, në funksion te interesave private të një grupi brenda partisë së tij. Nga gjithë kjo situatë, humbës dalin fermerët llapjanë”, ka shkruar në Facebook, Lirika Maliqi.

Ndërsa, Pajtim Balaj i VV-së propozoi që të krijohet një Komision i përbërë edhe nga asamblistët, të cilët do t’i verifikonin dëmet dhe të bënin subvencionimin e tyre. Por, ky propozim u “injorua” nga kryesuesi i Kuvendit, duke mos e hedhur fare në votim.

“Në një shembull ta paprecedent për demokracinë, por shumë të zakonshëm për “demokracinë” e Lidhjes (JO) Demokratike të Kosovës, kryesuesi i Kuvendit që vjen nga radhët e këtij subjekti, e pamundësoi hedhjen në votim të Deklaratës së propozuar nga Lëvizja dhe të harmonizuar së bashku me opozitën, e cila kishte për qëllim mbrojtjen e kulturave bujqësore nga vërshimet dhe gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për bujqit llapjanë. Është fatkeqësi që qytetarët e kanë të pamundur t’i përcjellin seancat e Kuvendit dhe ta shohin mjerimin politik të quajtur LDK”, ka reaguar në një postim Balaj.

Duhet potencuar se në këtë seancë janë votuar dy propozimet e drejtorit të Drejtorisë së Bujqësisë në Podujevë, Vezir Januzi./Llapi.info