Në Komunën e Podujevës janë regjistruar edhe gjashtë raste të reja me virusin korona, të cilat kanë dalë pas testimit të 15 mostrave, raporton Llapi.info.
Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama, ka thënë për Llapi.info se numri i rasteve aktive në këtë komunë ka arritur në 75. Sipas Ramës, në dy ditët e fundit janë shëruar 22 pacientë llapjanë nga sëmundja që shkakton koronavirusi.
“Sot kemi marrë konfirmimin nga IKSHPK-ja për gjashtë raste të reja me COVID-19 në Podujevë, nga 15 qytetarë të testuar. Tri prej tyre janë nga qyteti, kurse me nga një rast nga fshatrat; Dumnicë, Kërpimeh dhe Peran. Vetëm njëri nga këto të sotit është rast kontakti në familje, kurse të tjerat janë me burim të ri të infeksionit. Raste aktive në rajonin e Podujevës janë 75 raste. Dje kanë qenë të shëruar 14 pacientë llapjanë dhe tetë sot, të cilat çojnë numrin e të shëruarve në 81 në Podujevë”, thotë Rama.
Më tej, Rama ka shtuar se numri i rasteve në Podujevë pritet të rritet, derisa ka potencuar se ka rënë zbatimi i masave nga qytetarët.
“Jemi në pritje të rezultateve të mostrave që janë testuar më 21, 22 dhe 23 korrik. Zyrtarisht jemi të njoftuar për tetë raste të vdekjeve deri më tani në këtë komunë. Numri i rasteve pritet të rritet për arsye se qytetarët nuk janë duke i zbatuar aq sa duhet masat, përkundër që njëherë filluan mirë, mirëpo këto 3-4 ditë prapë ka filluar mosrespektimi i rekomandimeve për mbrojtje ndaj pandemisë COVID-19”, ka thënë Rama.
Rasti i parë që ka rezultuar pozitiv me COVID-19 në Komunën e Podujevës ka qenë më 15 mars. Që nga atëherë, numri i të prekurve në Podujevë ka arritur në 152.
Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe tetë viktima nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri. Numri i viktimave në Kosovë ka arritur në 158, të gjithë këta, sipas Institutit, kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.
IKSHPK ka bërë të ditur se ka testuar edhe 420 pacientë të dyshuar me koronavirus, prej të cilëve 181 kanë dalë pozitivë.
Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë, që nga mesi i muajit mars – ka arritur në 6.467. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.804./Llapi.info






