Lokale - eSIMy

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Haradinaj në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, tha se është kundër që Kosova të vazhdojë pa kornizë kohore dhe paqartësi në dialog.

Ish-kryeministri i Kosovës shtoi se dinamika kohore e BE-së është tepër e disfavorshme për ne.

“Hoti dhe Mustafa duhet ta bëjnë një hap prapa në obligimet që i kanë marrë të tilla. Nuk mund të vazhdojnë me një agjendë pa kornizë kohore, pa qëllime konkrete, që është prej temës në temë”.

“Ne nuk jemi kundër rolit të BE-së në dialog, por dinamika kohore e BE-së është tepër e disfavorshme për ne, vetëm ia lehtëson Serbisë hapjen e kapitujve për të shkuar drejt BE-së, në na mbanë ashtu siç na ka mbajtur deri tani, as liberalizimin e vizave nuk na e ka dhënë”.

“Unë nuk shoh arsye pse kryeministri Hoti duhet të kujtoj që e ka përkrahjen e Kosovës për një proces të tillë, përkrahjen time nuk e ka, unë jam anëtar i koalicionit, nuk e ka përkrahjen për një proces të tillë të stërzgjatur për kthim në procese gjysmë politike, gjysmë teknike, për pallavra të tilla nuk e ka përkrahjen”.

I pari i AAK-së theksoi se LDK po mendon se po e merr dialogun duke besuar se është një pasuri me të cilën ti i bën do “syreta” dhe të respektojnë.

“LDK është duke bërë diçka që e bënte edhe zotëri Thaçi, po e merr dialogun duke besuar se është një pasuri e caktuar politike me të cilën ti i bënë do syreta dhe të respektojnë, është gabim total, Thaçi ia ka humbur disa vite Kosovës dhe shiheni si kemi mbetur, LDK-ja po e përvetëson dialogun, pra Hoti, Skender Hyseni, shefja e kabinetit të kryeministrit Hoti në takim me Vuqicin, pa marrë dikë që din më shumë”.

Haradinaj tha se nëse ne nuk ankohemi dhe vazhdojmë me këtë dialog, Amerika nuk ka si kyçet.

”Çështja e parë ka të bëjë me dinamikën kohore, po u them qytetarëve të Kosovës, popullit të Kosovës, nëse ne nuk ankohemi dhe vazhdojmë me këtë dialog, Amerika nuk ka si të kyçet”.

“Ne jemi duke e bërë të pamundur të marrim rol, të kryejmë punë, ne po shkojmë me dinamika të Evropës që janë shumë të ngadalshme, që mund të na mbajnë 100 vite kështu”.