Lokale - eSIMy

Deputeti nga radhët e PDK-së, Bajrush Xhemajli, ka thënë sot në një konferencë për media se përpjekja e Telekom Serbisë për blerjen e Operatorit PKO si pjesë e Telekom Sllovenia përbën rrezik të madh dhe cenon rëndë sigurinë kombëtare të shtetit të Kosovës.

Xhemajli tha se “është shqetësuese se gjithë këtë ngjarje deri më tani e ka përcjellë heshtja e vazhdueshme e institucioneve të shtetit të Kosovës, duke përfshirë qeverinë e kaluar të Albin Kurtit dhe qeverinë aktuale të Avdullah Hotit”.

Ai ka kërkuar që kryeministri të ftoj urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të analizuar e parandaluar qasjen e Serbisë në telekomunikimin e Kosovës, përmes blerjes së operatorit IPKO.

“Qeveria Kurti dhe tani qeveria Hoti, nuk kanë bërë as edhe një lëvizje të vetme për të ndaluar këtë skenar të rrezikshëm për Republikën e Kosovës. Institucioni përgjegjës, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, nuk ka ndërmarrë edhe as një hap të vetëm ligjor e institucional ndaj kësaj ngjarje, duke qenë bashkëfajtor me qeverinë Kurti dhe Hoti për rrezikimin e sigurisë kombëtare. Partia Demokratike e Kosovës, dënon rëndë papërgjegjësinë e treguar nga qeveria Kurti dhe Hoti karshi këtij rreziku të madh”.

“Me realizimin e mundshëm të këtij skenari kriminal e të rrezikshëm, Serbia krijon qasje në telekomunikimin e Kosovës. Kështu bëhet qasje në të dhënat personale, të mijëra qytetarëve dhe ndërmarrjeve që operojnë deri më tani me operatorin IPKO”, tha ai.