Lokale - eSIMy

Në Podujevë janë konfirmuar edhe 11 raste të reja me koronavirus, pas testimit ditë më parë të 22 mostrave, raporton Llapi.info.

Konfirmimi i tyre është bërë sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ndërkohë që shumica prej tyre janë nga qyteti.

Ndërkaq, 10 personat pozitivë që kanë dalë sot janë me burim krejtësisht të ri të infeksionit dhe të njëjtit s’i përkasin familjeve të infektuara më parë në këtë komunë.

Me këto rastet e ditës së sotme, në Podujevë ka shkuar në 77 numri i rasteve aktive, gjersa ky numër është më i madhi deri më tani.

Përveç rasteve të reja, sot edhe katër pacientë llapjanë janë shpallur të shëruar nga sëmundja që shkakton COVID-19. Epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama, i ka thënë portalit Llapi.info se në Podujevë janë katër ekipe në qendrën për COVID-19 që janë 24 orë në dispozicion për t’iu ofruar trajtim pacientëve të prekur me virus.

“Nga 22 testimet e bëra, 11 persona kanë dalë pozitivë me virusin korona. Jemi në pritje të rezultateve edhe për rreth 25 qytetarë. Rastet e reja janë nga Podujeva (qyteti) pesë raste dhe me nga një rast nga fshatrat; Peran, Letanc, Siboc, Batllavë, Majac dhe Dumnicë. Këto raste çojnë në 77 numrin e personave pozitivë me COVID-19 në rajonin e Podujevës, derisa sot janë shëruar edhe katër pacientë. 10 nga këto rastet e reja janë me burim të ri të infeksionit, që do të thotë vetëm një ka qenë nga e njëjta familje. Po ashtu, pozitivë që po dalin janë kryesisht nga vendet e punës, ndërsa sot është konfirmuar i infektuar edhe një punëtor i KEK-ut”, ka thënë Rama.

Epidemiologia Rama ka theksuar se ka rënë në tre numri i pacientëve nga Podujeva që janë në Klinikën Infektive. Sipas Ramës, deri më tani në Podujevë janë tetë viktima që kanë qenë të infektuar me koronavirus dhe që të njëjtit kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese. Ajo ka theksuar se edhe 12 persona janë testuar sot, rezultatet e të cilëve pritet t’iu dalin ditëve në vijim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë kanë vdekur edhe pesë pacientë nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri. Numri i përgjithshëm i viktimave tani ka arritur në 144.

Në njoftimin e IKSHPK-së bëhet e ditur se nga 415 mostra të testuara, 168 kanë dalë pozitive me virusin korona. Kjo shifër e rrit numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 6.045.

Po ashtu, sot në Kosovë janë shëruar 157 pacientë, duke çuar në total numrin e tyre në 3.226, kurse raste aktive mbesin edhe 2.675./Llapi.info