Mesdita e së shtunës ishte fatale për dy vëllezërit Abazi nga fshati Repë i Podujevës. Nga të shtënat me armë, njëri vdiq në vendin e ngjarjes, kurse tjetri pak orë më vonë nuk arriti t’u përballoj plagëve në QKUK, njofton Llapi.info.
Ata dyshohet se u vranë nga një 65-vjeçar, nga po i njëjti fshat. Dyshimet e para janë që ngjarja tragjike ndodhi për shkak të një mosmarrëveshje rreth shfrytëzimit të një toke, e cila besohet se nuk është në pronësi të asnjërës familje, por e një serbi, i cili që nga paslufta nuk jeton aty. Dorasi ende nuk është arrestuar, derisa Policia është vënë në ndjekje të tij.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, dërguar mediave, në bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit, janë konfiskuar një kallash, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie pa leje.
“Fsh. Repë, Podujevë 18.07.2020-13:04. Është raportuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri ku si pasoj viktima mashkull kosovar për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku, kurse vëllai i tij viktima mashkull kosovar është plagosur dhe gjendet në QKUK duke marr tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore ku janë gjetë dhe konfiskuar katër gëzhoja dhe dy vetura. I dyshuari mashkull kosovar i cili dyshohet se e kishte kryer veprën gjendet në arrati. Rreth orës 19:18 ka ndërruar jetë edhe viktima e dytë mashkull kosovar që ishte në QKUK. Njësit policore kanë kryer bastisjen në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47, një pistoletë me gas dhe një pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar për obduksion”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së. /Llapi.info






