Lokale - eSIMy

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e ka komentuar pritjen e djeshme që iu bë presidentit Hashim Thaçi pas kthimit nga Haga ku qëndroi për 4 ditë duke dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale.

Pas kthimit nga Haga, Presidenti Thaçi kishte zbritur në aeroportin e Tiranës para se të nisej për në Prishtinë.

Shumë qytetarë ishin dalë për ta pritur në kufirin Kosovë-Shqipëri duke mos respektuar kështu vendimet e Qeverisë së Kosovës për t’u mos tubuar duke shmangur kështu mundësinë e përhapjes së virusit COVID-19.

Sot, në një konferencë për media, Zemaj tha se çdo tubim që bëhet në Kosovë e rëndon situatën epidemiologjike në Kosovë.

“Çdo takim, çdo tubim që i tejkalon rekomandimet tona dhe vendimet e qeverisë së Kosovës, sigurisht që do ta rëndoj situatën epidemiologjike në Kosovë dhe do të paraqet problem në luftimin e pandemisë”, tha ministri Zemaj.

Tutje Zemaj bëri lutje që pavarësisht dëshirave t’i respektojnë masat e Qeverisë.

“Unë i lus të gjithë qytetarët e Kosovës që pavarësisht nevojave, dëshirave e vullnetit, t’i respektojnë masat e qeverisë që janë rekomandime të profesionistëve. Për këtë arsye bëjmë lutje çdo ditë dhe kërkojmë nga organet e rendit dhe inspektorat që të respektohet këto masa”, tha tutje Zemaj.