Nëpër rrugët e kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës nuk mund të shohësh më qytetarë pa maska. Vetëdijesimi për rrezikun nga COVID-19 po shoqërohet me maska të vendosura nga qytetarët dhe me respektim të distancës fizike, dy masa këto rigoroze të vendosura nga Qeveria e vendit.
Madje edhe shoferët ose pasagjerët nëpër vetura, autobus urbanë e ndërurbanë kanë vënë maska, si dhe në mjete të tjera të transportit. Nëpër dyqane të ndryshme me pakicë ose shumicë, restorante, kafene, institucione publike, si dhe institucione tjera private sot kudo qytetarët janë me maska.
Është dita e katërt pas vendimit të Qeverisë për vendosjen e maskës, e cila po shënon edhe ngritjen e vetëdijesimit në Kosovë se “maska shpëton jetë”.
Derisa dy ditë më parë në rrugë mund të shihje prindër ose gjyshër me fëmijë përdore pa maska, sot nuk sheh më diçka të tillë. Edhe te fëmijët po vendoset maska. Përgjegjësia për kontrollimin e respektimit të masave në emër të shtetit po bartet nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Që nga larg mund të shohësh përkushtimin e policëve teksa ndalojnë qytetarët pa maska dhe fillimisht duke iu qasur atyre me mesazh vetëdijesues, si dhe lutës se vënia e maskës është e domosdoshme. Megjithëkëtë, policët e Kosovës jorrallë hasin edhe qytetarë që arsyetohen se “vendosja e maskës po ua ndalon frymëmarrjen”.

Mbikëqyrja nga shteti po vazhdon 24 orë
Jo pak po hasin edhe në vështirësi nga ana e qytetarëve të papërgjegjshëm. Por deri tash policët në gjithë territorin e vendit janë duke zbatuar me përpikëri vendimin e Qeverisë që të mos lejohet asnjë qytetar të qarkullojë pa maskë.
Të dhënat që Policia merr nga qytetarët, të cilët ndalohen pa maska, përcillen te punëtorët sanitarë. Policia e cilëson vepër penale dhe i përcjell në procedurë të mëtutjeshme rastet kur pacienti pozitiv me COVID-19 del nga vetizolimi, duke bërë vepër penale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, thotë për “Zërin” se policët janë duke kryer me sukses punën e tyre në terren për kontrollimin e vënies së maskave dhe ruajtjes së distancës fizike.
“Policia e Kosovës është duke zbatuar një plan operativ. Në zbatim të vendimit të institucioneve shtetërore, Policia ka kaluar në orar 12-orësh për të shtuar prezencën në teren”, thotë ai.
Policia rastet kur kryhet vepër penale i inicion dhe i procedon në Prokurori.
“Rastet e tilla i bëjmë publike çdo ditë në raportin 24-orësh që e lëshojmë për media. Në rastet tjera përdorimi i maskave, distanca etj. në koordinim me inspektorët sanitarë, ata procedojnë më tutje me rastet e tilla”, ka thënë Krasniqi.

“Një entuziazëm që përfundon më shpejt se virusi”
Ndërsa sociologu Labinot Kunushevci beson se masat e shtuara nga Qeveria kanë pasur një ndikim pozitiv.
Por ai paralajmëron se ky vetëdijesim është i përkohshëm.
“Një entuziazëm që përfundon më shpejt se virusi”, thotë Kunushevci.
Ai apelon te Qeveria se që qytetarët ta respektojnë më shumë vendimin shteti duhet ta bëjë të qartë nëse vendimi bie ndesh ose jo me Kushtetutën. ” Ose të votohet projektligji për pandeminë dhe të shtrihet zbatimi i tij në të gjitha komunat, me inspektime speciale, duke ndëshkuar shkelësit e qëllimshëm”, thotë ai për “Zërin”.
Kunushevci thotë se vetëdijesimi i qytetarëve si shkak i vendimit të Qeverisë ndodh vetëm kur qytetarët kanë vetëdije institucionale, pra kur besojnë në institucione dhe në shtet dhe kur shteti përdor mekanizma ndëshkues për shkelësit e ligjit.
“Por qytetarët, një pjesë e tyre janë skeptikë në ekzistencën ose rrezikun e virusit, një pjesë tjetër ka dilema nëse ligji që i obligon në respektimin e masave ose në kufizimin e lëvizjes, ose funksionimit publik është ose jo në kundërshtim me Kushtetutën. Prandaj jo të gjithë e trajtojnë dhe e respektojnë me vullnet vendimin e Qeverisë”, thotë Kunushevci.

Mbi 5 mijë e 300 persona të infektuar me COVID-19 në Kosovë
Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në Kosovë janë regjistruar mbi 5 mijë e 300 raste pozitive me koronavirus, ndërsa 118 persona kanë vdekur.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në vendin tonë janë shëruar gjithsej 2545 pacientë nga koronavirusi.
Nga IKSHPK-ja, në njoftimin e tyre të përditshëm për publikimin e rasteve të reja nëpër komuna të Kosovës, del se Prishtina kryeson me numrin më të madh të të infektuarve, ku nga kjo komunë vetëm dje kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 47 persona.
Më 13 korrik Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhjen korresponduese, (mbledhje elektronike), në të cilën ka shqyrtuar dhe ka miratuar vendime për masat që do të ndërmerren në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID-19.
Vendimi i parë i miratuar në këtë mbledhje ishte për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19.
Ky vendim është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metrave në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre.
Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe nga vizitorët.







