Lokale - eSIMy

Edhe pesë raste të reja me virusin korona janë konfirmuar sot në Podujevë, të cilat kanë dalë pas testimeve të bëra më 9 korrik, raporton Llapi.info.

Rastet e pozitive janë me nga dy nga fshatrat Bradash dhe Metehi, kurse një rast është nga qyteti. Ky i fundit ka ndërruar jetë para dy dite, por që rezultati i mostrave ka dalë sot dhe që i njëjti ishte testuar para se të ndërronte jetë.

Në këtë komunë ka shkuar në 6 numri i të vdekurve me COVID-19 dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera kronike. Kështu ka thënë për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së dhe anëtarja e shtabit emergjent, Bedrie Rama.

“Pesë raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar në Podujevë. Burimi i infeksionit është krejtësisht i ri dhe nuk i përkasin familjeve të infektuara më parë. Dy raste janë nga fshati Metehi, dy raste nga Bradash dhe një rast është nga Podujeva (qytet), ky i fundit para dy dite ka ndërruar jetë, i cili ka pasur edhe sëmundje tjera kronike, mirëpo ai është testuar para vdekjes dhe sot është konfirmuar se ka qenë pozitiv me koronavirus. Numri i viktimave me këtë rastin e fundit është gjashtë, 49 janë të shëruar dhe 46 raste janë aktive. Mostrat e sodit janë testuar me 9 korrik”, ka thënë Rama.

Epidemiologia Rama ka theksuar se janë në pritje edhe të rreth 55 mostrave të testuara ditë më parë. Sipas saj, vetëm dje janë testuar gjithsej 26 qytetarë, sot 11, kurse 10 teste janë paraparë për nesër. Mirëpo, edhe pse testimet ka më shumë se një javë që kanë filluar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, rezultatet nga IKSHPK-ja po vonohen shumë.

Ndërkohë, Në Kosovë janë regjistruar edhe 119 raste të reja me COVID-19, sëmundjen që e shkakton ky virus. Kështu është thënë sot në një konferencë të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Të dhënat i referohen testimit të 420 mostrave më 14 korrik, me metodën RT-PCR. Sipas këtyre të dhënave, numri i viktimave ka shkuar në 112, gjersa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 5.237. Ndërkaq, 92 pacientë janë shëruar, duke bërë që numri i të shëruarve të arrijë në 2.462. Raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 2.663.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani tha se situata epidemiologjikë ka filluar të normalizohet.

“Pas ditëve të fundit që kemi pasur një situatë epidemiologjike me rritje të numrit të rasteve me COVID-19, prej dje situata ka filluar të normalizohet dhe të jetë më e qetë”, ka thënë Ramadani./Llapi.info