Organizata joqeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, ka filluar implementimin e projektit “qytetari aktiv për transparencë dhe llogaridhënie në qeverisjen lokale”, në Komunën e Podujevës, njofton Llapi.info.
Ky projekt ka për synim të ndikojë në rritjen e transparencës së qeverisjes lokale, përmes përfshirjes së shoqërisë civile në monitorim. Në të njëjtin ka qenë në plan edhe transmetimi direkt të seancave komunale, por një të tillë s’është përmbushur nga Komuna. Me këtë rast, SDK ka kërkuar serish që këto seanca, për hir të transparencës, të shfaqen drejtpërdrejt përmes faqes zyrtare të Komunës dhe teleprezencës për monitorim nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kanalit të Youtube”.
“Është Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Podujevës për periudhën 2019-2023, gjegjësisht pika 3 e objektivës së parë(I), në të cilën thuhet se “Mbledhjet e kuvendit do të përcjellën drejtpërdrejtë-online përmes faqes zyrtare të Komunës dhe teleprezencës për monitorim nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, dhe kanalit të You tube”. Komuna e Podujevës që nga aprovimi i këtij Plani nuk ka ndërmarrë asnjë hap në drejtim të transmetimit online të seancave të kuvendit, përmes kanalit në YouTube”, thuhet në komunikatë.
“Vetëqeverisja lokale bazohet në parimet e qeverisjes së mirë, transparencës, llogaridhënies, përgjegjshmërisë, efikasitetit dhe efektivitetit në ofrimin e shërbimeve publike, duke i kushtuar kujdes të veçantë nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të saj. Informimi, komunikimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitetet e qeverisjes lokale janë me rëndësi jetike për të vendosur një bashkëpunim dhe komunikim të rregullt në mes të komunës dhe qytetarëve. Në këtë kontekst komuna e Podujevës me qëllim të krijimit të hapësirës edhe më të gjerë informuese për qytetarët, do duhej të gjej mundësinë e hapjes së kanalit zyrtar në “You tube” dhe të shfrytëzoj vegëzen ekzistuese në ueb faqen e komunës, për transmetimin online të seancave të Kuvendit, si dhe të publikimit të të gjitha materialeve audio-vizuele në kuadër të aktiviteteve të Komunës”, vijon komunikata.
Sipas komunikatës, kjo do të ndikonte në rritjen e pjesëmarrjes qytetare dhe njëkohësisht në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve./Llapi.info






