Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, në seancën e sotme për menaxhimin e situatës me COVID-19 ka thënë se është transformuar menaxhimi i mirë i ish-ministrit Vitia, nga qeverisja e tanishme në krye me ministrin e tanishëm të Shëndetësisë Armend Zemaj.
Ai ka theksuar se Kosova ka qenë shembull edhe në vendet tjera në menaxhimin e situatës COVID-19, sipas tij, me ministrin Vitia. Haziri ka akuzuar ministrin Zemaj se s’është realizuar premtimi për rritjen e numrit të testimeve.
“Fat në fatkeqësi në këtë kohë ishte ministri Arben Vitia, i cili në momentet e shfaqjes së pandemisë gjeti sektorin e shëndetësisë me vetëm 60 mijë maska. E menaxhoi situatën në mënyrë të shkëlqyeshme edhe pse me kushte të rënda. Të përkushtuar dhe me profesionalizëm me mirëkuptimin e qytetarëve, Qeveria Kurti arriti të zbres deri në zero të infektuar. Por, këtë storie të suksesit ju e përmbysët në pak ditë. Veprimet e juaja përmbysën komplet situatën për keq. Kur në shumicën e vendeve perëndimore bëheshin bashkë për të menaxhuar pandeminë COVID-19, tek ne u bëtë bashkë për ta rrëzuar qeverinë. U bëtë bashkë për ta hequr nga pozita një profesionist si Arben Vitia në momentet më të papërshtatshme për vendin.”, ka thënë Haziri.
“Lufta ndaj COVID-19 duhet të bëhet me profesionistë e mbështetje në shkencë. Emërimi i një juristi për ministër të Shëndetësisë në një situatë të tillë ishte veprim i parë i papërgjegjësisë. Për më keq, edhe për zëvendësministra emëruat persona krejtësisht joprofesional. Zemaj do të bënte mirë që të na tregonte emrin e një profesionisti në kabinetin e tij. Mirëpo jo, të gjithë profesionistët kanë hezituar të bëhen pjesë e një kabineti joprofesional. Andaj, edhe situata ka dalë jashtë kontrollit. Kur kjo qeveri mori detyrën, numri i të infektuarve u shumëfishua, kur kishim arritur gjendjen që numri i të shëruarve ishte më i lartë se i të prekurve, ju e transformuat negativisht”, ka thënë tutje ai.
“Me katër qershor kur ju filluat kishim vetëm pesë raste, ndërsa tani kemi 216 raste në ditë. Paramendojeni nëse do të kishim më shumë testime. Për më keq kemi vdekje të dyshimta brenda Klinikës Infektive. Ajo që duhet të bëni është rritja e testimeve, e keni premtuar një gjë të tillë por s’i keni realizuar. Numri i testimeve vazhdon të jetë në nivelin më të ultë, kjo si pasojë e një ministri të tillë. Një ministër që interesin personal dhe familjar e ka vendosur para interesit të shëndetit të qytetarëve. Një ministër që ka bërë lirimin e masave pa bërë monitorimin dhe vlerësimin e tyre. Një prej vendeve të para në Evropë edhe pse është me sistem të avancuar shëndetësor që ka bërë lirimin e masave është Gjermania, por njëkohësisht ka bërë monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes së pandemisë”, tha Haziri.
“Në momentin e parë që ka pasur rritje të rasteve ka kthyer masat kufizuese, ndërsa ju keni qenë spektatorë. I keni liruar masat, kurse vazhdimisht kemi pasur rritje të të infektuarve. I bllokuar nga paaftësia na akuzoni për dështimet tuaja, por ishin kolegët tuaj nga LDK që dolën pozitivë. Zemaj para se të ankoheni jepni zgjidhje, para se të fajësoni hiqni dorë pasi situata është alarmante. Dallimi mes nesh dhe shumicës së vendeve të tjera demokratike është që atje po vendosin njerëz profesionistë sidomos në Shëndetësi, por edhe në Qeveri. Për lëshimet më të vogla në shtetet e tjera po japin dorëheqje, e tek ne me gjithë këtë rritje të vdekjeve dhe të infektuarve po vazhdoni të ndiheni komodë. Merreni njëri-tjetrin për dore së bashku me krejt këtë kabinet ilegjitim lëshoni rrugë se jeni duke dështuar dhe mos e merrni në qafë këtë popull se s’është turp me pranua se nuk dini, e nuk jeni në gjendje të menaxhoni”, ka thënë Haziri./Llapi.info