Ditë më parë partisë NISMA Socialdemokrate ju largua “krahu i djathtë” i Fatmir Limajt.
Fjala është për bashkëvendasin e tij, Haxhi Shala, i cili aderoi në AAK-në e Ramush Haradinajt.
Ky i fundit pas largimit ka nisur të marrë me vete edhe disa zyrtarë të NISMA-s nga qytete të ndryshme të cilët çdo ditë përmes statuseve në Facebook njoftojnë se po i ndajnë rrugët me partinë e Fatmir Limajt dhe siç thonë po i bashkohen “vizionit” të Haxhi Shalës.
Duke parë që po i largohen anëtarë, sot zyrtarë të NISMA-s kanë dalë në teren ku kanë takuar strukturat në qytetin e Podujevës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës.
Njoftimin e ka dhënë deputeti Endrit Shala përmes një postimi në Facebook, i cili ka falënderuar anëtarët e partisë siç thotë ai për angazhimin për zhvillim ekonomik të vendit.
Postimi i tij:
Sot bashkë me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, z.Vesel Krasniqi zhvilluam takime miqësore dhe shumë të këndshme me degët e NISMA-s, në Podujevë, Mitrovicë dhe Vushtrri.
Nismëtarët Socialdemokrat kudo nëpër Kosovë janë të bashkuar rreth misionit tonë për zhvillim ekonomik të vendit, dhe për ta ndërtuar një shtet që i zgjat dorën secilit qytetarë. Është koha të lihen anash interesat personale e grupore të kujtdo.
Sot është koha për veprime, jo për fjalë, për punë, jo për premtime. Sot është koha për Kosovën dhe për rininë. Faleminderit për besimin punën dhe angazhimin.






