Lokale - eSIMy

Shofer Autoambulance dhe infermier, është konkursi i pazakontë që ka shpallur Komuna e Podujevës, shkruan Llapi.info.

Sipas të njëjtit konkurs, për t’u pranuar si vozitës i automjetit të emergjencës, duhet ta kesh të përfunduar Shkollën e Mesme të Mjekësisë apo Infermierisë, kusht ky që s’është parë më herët nëpër shpalljet e bëra për institucionet shëndetësore.

I njëjti po dyshohet edhe për kurdisje. Nëpër medie sot është raportuar se nëpër institucione shëndetësore në të kaluarën s’ka ndodhur të ketë një kriter të tillë në konkurset publike për vozitës të ambulancës.

Sipas Gazetës Blic, arsyeja e vendosjes së këtij kriteri, është kurdisja e vendit të punës si vozitës i autoambulancës për djalin e njërit nga drejtorët komunal.

“Po dëshirojnë që në këtë vend ta fusin djalin e një drejtori i cili e ka përfunduar Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe fakultetin nuk ia ka dashtë. Ka mbetur që shumë vjet në vitin e parë. Kjo është arsyeja pse e kanë vendosur këtë kriter”, ka raportuar ky medium gjatë së mërkurës.

Mirëpo, në lidhje me këtë çështje, Llapi.info ka siguruar të njëjtin konkurs të shpallur me 20 shkurt të këtij viti, e që i njëjti s’është bërë publik. Në fillim, aty, as që është dashur që aplikuesit t’i kenë të kryera shkollën e mesme të mjekësisë e as të infermierisë.

Sipas dokumentit që ka siguruar Llapi.info, në konkursin e shpallur në shkurt të këtij viti, Komuna e Podujevës pati kërkuar vetëm diplomën e shkollës së mesme pa specifikuar se në çfarë drejtimi si dhe patentë shoferin për kategorinë B.

Merret vesh se manovrimet me vendosje të kriterit për shkollimin mjekësor për t’u pranuar në punë si shofer, janë bërë në momentin kur janë dakorduar ta vendosin në këtë pozitë familjarin e njërit nga drejtorët.

Për konkursin e pazakontë, siç ka raportuar Blici, s’është përgjigjur as drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Zaim Thaçi./Llapi.info