Lokale - eSIMy

Komuna e Podujevës ka hapur konkurs për pranimin e një shoferi të ambulancës për Emergjencën e këtij qytetiPor në kriteret për pranim, ka vendosur një kusht të pazakontë. Për t’u pranuar si vozitës i Ambulancës, duhet ta kesh të përfunduar Shkollën e Mesme të Mjekësisë, apo Infermierisë.

Ky kusht i vendosur nga ana e Komunës, nuk është parë më herët.

Gazeta Blic, ka folur me drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Zaim Thaçi.

Ai fillimisht është përgjigjur në thirrjen e Gazeta Blic. Me të kuptuar pyetjen, Thaçi ka kërkuar nga gazetari të thirret një ditë më vonë, me arsyetimin se ora është 16:30 dhe është jashtë orarit të punës.

“Më thirr nesër prej orës 08:00 në mëngjes jam në punë dhe flasim”, ishte përgjigja e Thaçit.

Mirëpo, ai nuk është lajmëruar në asnjërën thirrje tjetër të redaksisë.

Gazeta Blic merr vesh që arsyeja e vendosjes së këtij kriteri, është kurdisja e vendit të punës si vozitës i autoambulancës për djalin e njërit nga drejtorët komunal.

“Po dëshirojnë që në këtë vend ta fusin djalin e një drejtori i cili e ka përfunduar Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe fakultetin nuk ia ka dashtë. Ka mbetur që shumë vjet në vitin e parë. Kjo është arsyeja pse e kanë vendosur këtë kriter”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic, brenda Komunës së Podujevës.

Gazeta Blic ka pyetur nëpër institucione shëndetësore se a ka ndodhur në të kaluarën të vendoset një kriter i tillë në konkurset publike për vozitës të ambulancës, të cilët kanë konfirmuar se nuk kanë rastisur të shohin më parë një gjë të tillë.

Mirëpo, në lidhje me këtë çështje, Llapi.info ka siguruar të njëjtin konkurs të shpallur me 20 shkurt të këtij viti, e që i njëjti s’është bërë publik. Në fillim, aty, as që është dashur që aplikuesit t’i kenë të kryera shkollën e mesme të mjekësisë e as të infermierisë.

Sipas dokumentit që ka siguruar Llapi.info, në konkursin e shpallur në shkurt të këtij viti, Komuna e Podujevës pati kërkuar vetëm diplomën e shkollës së mesme pa specifikuar se në çfarë drejtimi si dhe patentë shoferin për kategorinë B.

Merret vesh se manovrimet me vendosje të kriterit për shkollimin mjekësor për t’u pranuar në punë si shofer, janë bërë në momentin kur janë dakorduar ta vendosin në këtë pozitë familjarin e njërit nga drejtorët.