Lokale - eSIMy

Edhe tri raste të reja me virusin korona janë konfirmuar të martën në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Të tri këto raste janë nga fshatra të ndryshme të kësaj komune, ndërkohë që njëri prej tyre është punëtor shëndetësor.

Epidemiologia e QKMF-së dhe anëtarja e shtabit emergjent komunal, Bedrie Rama i ka thënë portalit Llapi.info se me konfirmimin e tri rasteve të djeshme, ka shkuar në 27 numri i personave aktivë me koronavirus.

“Tri raste janë konfirmuar dje në Podujevë me COVID-19. Njëri është i familjes Osmani që ka qenë i infektuar në fshatin Llaushë, rasti i dytë është nga fshati Majac, i cili është i ri me burim të infeksionit në Prishtinë nga kolegët dhe rasti i tretë është nga fshati Kërpimeh, ky i fundit është punëtor shëndetësor në Klinikë dhe i njëjti është infektuar në vendin e tij të punës. Raste aktive tani i kemi 27 në Komunën e Podujevës. Gjashtë pacientë i kemi në Klinikën Infektive me gjendje mesatare. Vlen të cekët se sot ka filluar testimi në QKMF-në e Podujevës dhe mostrat do të dërgohen për rezultat në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, ka thënë Rama.

Deri më tani në Podujevë janë konfirmuar 59 raste me COVID-19, derisa rasti i parë ishte paraqitur më 15 mars.

IKSHPK ka njoftuar se të martën janë konfirmuar edhe 183 raste të reja me koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 3.886.

Të martën janë shëruar edhe 57 pacientë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 2.003. Ndërkaq, numri i rasteve aktive është 1.801./Llapi.info