Lokale - eSIMy

Lëvizja Vetëvendosje, dega në Podujevë, nëpërmjet një reagimi ka thënë se dinamika e punimeve në ndërtimin e sheshit në qendër të Podujevës po vazhdon me ritëm të ngadaltë, njofton Llapi.info.

Për pasojë, siç thuhet në reagimin e VV-së, bizneset në këtë anë janë buzë falimentimit.

“Që nga fillimi i punimeve në sheshin që po ndërtohet në qendër të qytetit, janë mbi 130 biznese të cilat janë paralizuar në veprimtarinë e tyre gjatë kësaj periudhe kohore, përveç dëmeve të mëdha që i ka shkaktuar pandemia bizneseve në qendër të qytetit, ato po i rëndon edhe puna e ngadalshme që po zhvillohet në ndërtimin e sheshit duke i paralizuar aktivitetin e tyre. Sot bizneset kanë barrën e shumëfishtë ku në pikun e sezonit nuk po mund të punojnë normalisht dhe kanë shumë vështirësi financiare, ndërsa Komuna nuk ju ka mundësuar asnjë alternativë si dhe nuk ka ofruar asnjë mbështetje për ta. Gjithashtu në këtë projekt ka shumë lëshime nga ana e Komunës, ku nuk është paraparë asnjë rrugë alternative për emergjencat si zjarrfikësit apo ambulancat për banorët e banesave dhe shtëpive në qendër të qytetit, poashtu furnizuesit e lokaleve kanë shumë vështirësi në furnizimin e këtyre bizneseve”, thuhet në reagim.

Më tej, dega e kësaj partie ka ka kërkuar nga Komuna e Podujevës t’i shpejtojë punët në ndërtimin e këtij projekti.

“Shumë prej bizneseve në këtë periudhë kohore janë detyruar të mbyllen ose janë detyruar të futen në borgje për të shpëtuar biznesin e tyre të mos falimentojnë. Komuna duhet të marrë përsipër gjatë kësaj kohe sa zhvillohen punimet në shesh pagesën e qirave të këtyre lokaleve për të ju dalë në ndihmë këtyre bizneseve dhe të parandalojë falimentimin e tyre. Puna e ngadalshme në sheshin që po ndërtohet, po e rëndon funksionimin e bizneseve dhe pengon jetën e qytetarëve. Qytetarët tanë meritojnë trajtim të dinjitetshëm dhe institucionet duhet të jenë të përgjegjshme para tyre. Komuna e Podujevës duhet ta ndalë këtë maltretim dhe t’i përshpejtojë punimet në shesh e të mos ju krijojë telashe të tjera qytetarëve”, thuhet tutje.

Por, duhet theksuar se Komuna e Podujevës pati marrë vendim që bizneset që janë skaj këtyre punimeve të lirohen nga ngarkesat komunale.

Ndërtimi i sheshit dhe Bulevardit të Dëshmorëve në Podujevë, ka nisur më 20 shkurt të këtij viti, pas dy dështimeve në vitet e kaluara./Llapi.info