Lokale - eSIMy

Sot janë bërë 30 vjet, që nga dita kur delegatët e Kaçanikut, shpallën Kushtetutën e Kosovës.

Në mesin e delegatëve të Kuvendit, ishte edhe Mexhid Jetullahu, nga Komuna e Podujevës.

Ai ishte njëri ndër organizatorët e kësaj ngjarje të madhe për historinë e Kosovës.

Përkundër presionit, rrezikut dhe kërcënimeve, Mexhid Jetullahu, së bashku me delegatët tjerë, morën guximin e madh që të nisin një epokë të re për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

30 vjet më parë delegatët e këtij Kuvendi, arritën që ta shpallnin Kosovën njësi të veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.

Delegatët e Kuvendit të Kaçanikut, duke përfshirë edhe Mexhid Jetullahun, ishin shpallur persona në kërkim nga regjimi i atëhershëm sllav.

Ata ndiqeshin dhe përndjekeshin nga ana e policisë serbe.

Përkundër kësaj, ata nuk u ndalën së punuari për çështjen e Kosovës dhe çlirimin e vendit nga regjimi jugosllavo-serb.