Gjashtë qytetarë nga Komuna e Podujevës kanë rezultuar pozitivë me virusin korona, nga gjithsej nëntë testime të bëra në këtë rajon, raporton Llapi.info.
Të gjitha këto raste janë të reja, ndërsa asnjë prej tyre nuk i përkasin familjeve të të infektuarve më parë në këtë komunë.
Këtë e ka konfirmuar për Llapi.info edhe epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama. Ajo ka deklaruar se rastet e reja kanë qenë me simptoma jo të lehta por të theksuara. Sipas saj, dy prej tyre janë në Prishtinë, gjegjësisht njëri në Pulmologji dhe tjetri në Klinikën Infektive.
“Edhe gjashtë raste të reja me COVID-19 në Podujevë janë konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Këto raste janë të reja dhe s’i përkasin familjeve të infektuara muaj dhe javë më parë në këtë rajon, burimi i infeksionit është tjetër kah. Tri raste janë nga fshati Bellopojë, 1 rast në Gërdoc, 1 rast në Dumnicë të Poshtme dhe 1 rast në Podujevë. Sipas informatave që kemi, njëri prej tyre është punëtor i KEK-ut dhe burimi i infeksionit në vendin e punës. Për burimet dhe informacionet e tjera do t’i marrim nesër”, ka thënë Rama.
“Me këto gjashtë raste, tani në Podujevë i kemi 25 raste aktive me COVID-19. Aktivitetet i kemi marrë dhe qysh nesër do t’i vizitojmë familjet për t’i dezinfektuar hapësirat e shtëpisë”, ka thënë Rama.
Epidemiologia e vetme në Podujevë, Bedrie Rama ka apeluar sërish tek qytetarët që t’i zbatojnë masat për parandalimin e pandemisë. Rama ka apeluar edhe te punëtorët në të gjitha institucionet qoftë publike dhe private që t’i bartin maskat dhe të dezinfektojnë duart.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka regjistruar të dielën edhe 87 raste të reja me virusin korona, pas 202 testimeve të bëra.
Sipas njoftimit, nga sëmundja janë shëruar edhe 31 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 1.425.
Numri i të infektuarve në Kosovë, që nga mesi i muajit mars, ka arritur në 2677. Prej tyre, 49 pacientë kanë ndërruar jetë dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.
Duhet potencuar se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot gjatë ditës ka thënë se rritja e numrit të rasteve me koronavirus në Kosovë po rrezikon kapacitetet e Klinikës Infektive. Hoti tha se kjo situatë dhe mosrespektimi i masave mbrojtëse mund të çojë në kthimin e izolimit total.
“Rastet me COVID-19 po rriten shumë. Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, ka thënë Hoti në një postim në Facebook./Llapi.info