Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, në fshatin Tërrnavë të Podujevës janë shkaktuar disa vërshime, shkruan Llapi.info.
Uji ka shkaktuar disa dëme banorëve të këtij fshati, ndërsa janë dëmtuar edhe të mbjellat bujqësore.
Në pamjet që lexuesit i kanë dërguar në Llapi.info, shihet prezenca e madhe e ujit në këtë fshat. Banorët kanë thënë se uji ka dëmtuar kulturat bujqësore, gjersa po kërkojnë ndihmë nga institucionet komunale dhe qendrore.
Përveç në këtë anë, vërshime të shumta ka pasur edhe në shumë fshatra tjera të kësaj komune.
Ndërkohë, Komuna e Podujevës nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë të ditur ekipi i sektorit për Emergjencë i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës me kompaninë e angazhuar është vazhdimisht në teren duke intervenuar në sanimin e gjendjes.
Sipas komunikatës, dëmet e shkaktuara në infrastrukturë, bujqësi dhe ekonomi familjare do të vlerësohen nga komisioni i Komunës./Llapi.info