Njëri nga njerëzit më me ndikim në LDK dhe njëri nga kundërshtarët më të fuqishëm të Vjosa Osmanit- Agim Veliu ende nuk e ka thënë as edhe një fjalë për shkarkimin e nënkryetares së partisë.
Gazeta Blic ka provuar gjatë ditës së djeshme dhe sot për ta marrë një koment nga ai se si e komenton shkarkimin e Osmanit, por ai me të marrë vesh përgjigjen e ka ndërprerë telefonin.
Osmani e Veliu disa herë janë përplasur edhe publikisht për qëndrimet e tyre në lidhje me funksionimin e partisë.
I vetmi që ka reaguar nga kabineti i Veliut, është Bajram Gecaj.
“Asgjë nuk është aq e thjeshtë sa ne shpresojmë të jetë” (Jim Horning)! Për disa vendime nuk ka kohë të përshtatshme; megjithatë, ato duhet të merren!”, ka shkruar.
Por, si nisi historia e “luftës” Veliu-Osmani
Ishte viti 2014, kur kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, mori vendim për të bërë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, që në atë botë udhëhiqej nga Hashim Thaçi.
Ky vendim i LDK-së, i mbështetur nga shumica e zyrtarëve të saj, gjeti një kundërshtim të madh nga Vjosa Osmani.
Ajo, tashmë kishte filluar publikisht të fliste kundër partisë dhe njerëzve kryesor të saj.
E kundërshtonte koalicionin me PDK-në, nuk e votoi qeverinë e Isa Mustafës dhe i quante vegla të Hashim Thaçit.
Gjithçka kulmoi në momentin kur në shtatorin e vitit 2015, u mbajtën zgjedhjet për kreun e LDK-së.
Osmani, e cila kishte shfaqur hapur ambicie për këtë post, nisi një luftë të ashpër karshi një pjese të kryesisë dhe kryetarit Isa Mustafa.Vjosa Osmani e quajti diktakturë zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të partisë në vitin 2015.
Lufta e saj brenda LDK-së, vazhdoi.
Në anën tjetër, Agim Veliu, i cili njihet si njëri ndër personat më të afërm të Isa Mustafës, pati filluar që akuzave të Vjosa Osmanit, t’i përgjigjet publikisht. Madje edhe në mënyrë të ashpër.
Pas akuzave të njëpasnjëshme të bëra nga Osmani, kryesia e LDK-së, me propizim të kryetarit Isa Mustafa, në zgjedhjet e qershorit të vitit 2017, ia kishin lënë Osmanit numrin 83 në listën zgjedhore.Përkundër kësaj, Osmani, kishte arritur t’i merr mbi 64 mijë vota, në atë garë zgjedhore.
Mes Osmanit dhe një pjesë të LDK-së, ndodhi një armëpushim, gjatë viteve 2017-2019, në kohën kur LDK ishte në opozitë.
Betejës për “luftë”, iu rikthyen në gushtin e vitit të kaluar.
Agim Veliu, tashmë kishte ambicie për të marrë drejtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njësoj sikurse Osmani.
Përveç këtyre dyve, publikisht ambicie kishin shprehur edhe disa figura të larta të partisë.
“Goditje” dhe “kundërgoditje” ishin shfaqur mes tyre në atë kohë.
Në fund, gjërat i kontrolloi Isa Mustafa.Ai gjeti një konsensus brenda LDK-së, që ai të vazhdonte të ishte në krye të partisë.
Agim Veliun e “rehatoi” afër vetës, duke ia lënë postin e nënkryetarit të parë. Vjosa Osmanin, e cila deri në atëkohë nuk ishte pjesë e Kryesisë, e kishte bërë nënkryetare të tretë.
E kur kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje, një diskutim i ashpër mes Osmanit dhe Veliut, filloi edhe me atë se kush duhet t’i prijë listës zgjedhore.
Në fund, me vendim të Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së u mor vendimi që Vjosa Osmani të jetë kandidate për kryeministre të vendit.
Edhe gjate fushatës, nuk pushoi “lufta” e tyre. Kjo pasi që, saktësisht në ditën kur Osmani po mbante fushatë në Podujevën e Agim Veliut, asaj i rrodhi në publik një bisedë me një gazetar.
Në atë bisedë, Osmani, kishte hedhur akuza të rënda ndaj Veliut. E kishte quajtur të paditur dhe vegël të Hashim Thacit.
Kur u bë certifikimi rezultateve të zgjedhjeve, LDK, nuk kishte arritur të dalë në vendin e parë. Atë tashmë e kishte zënë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.
Kjo bëri që të kishte sërish përplasje mes Vjosa Osmanit dhe Agim Veliut.
Osmani dëshironte me çdo kusht koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, koalicion të cilin Veliu e shihte me skepticizëm.
Në fund fare, Veliu pranoi një koalicion me partinë e Albin Kurtit, që do ta bënte këtë të fundit kryeministër të vendit.Por, ai tashmë e kishte një kusht.Dëshiroi të bëhej ministër i Punëve të Brendshme.
Pas diskutimeve të gjata dhe përplasjeve brenda dhe jashtë partisë së Isa Mustafës, koaliconi LVV-LDK ndodhi.Albin Kurti u bë kryeministër, Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit dhe Agim Veliu ministër i Punëve te Brendshme.
Pas një pauze prej gati dy muajsh, u përsëritë historia e vjetër mes Osmanit dhe Veliut.Veçse tashmë retorika mes tyre ishte më e ashpër dhe pjesë e kësaj lufte kishte hyrë edhe kryeministri Albin Kurti, pasi që ky i fundit e kishte shkarkuar Agim Veliun nga shefi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Me t’u marrë ky vendim, LDK me shumicë votash brenda Kryesisë, vendosi të dilte nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje.
Si edhe shpeshherë në të kaluarën, Vjosa Osmani, doli kundër.
Ajo e kundërshtoi prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe filloi ta “godasë” fuqishëm përmes deklaratave, nënkryetarin e partisë Agim Veliu.
Osmani tha se Veliu nuk është dashur të bëhet fare ministër dhe se e bëri fajtorë për prishjen e qeverisë.
Kjo ngjalli një reagim të ashpër të dikur kryetarit të Podujevës, Agim Veliu, i cili Osmanin e quajti përkthyese të Thaçit.
Veliu thotë se ajo që nuk guxoi të kandidojë për kryetare të Komunës së Mitrovicës, po ia konteston legjitimitetin atij që i fitoi 15 palë zgjedhje të njëpasnjëshme.
“Fitoret radhazi në zgjedhjet lokale dhe nacionale flasin më së miri. Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme”, shkruan Veliu.
Gjithashtu, Veliu ia përmendi Osmanit edhe Prishtinën, ku sipas tij, humbjet në Prishtinë erdhën si rezultat rolit të saj destruktiv dhe ambijceve karrieriste të saj.
“Ndërkaq, humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrierist”, tha Veliu.
Paralajmërimi i Vjosa Osmanit pas shkarkimit
Pasi u shkarkua nga posti i nënkryetares, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do të përballet në zgjehdje me ata që e shkarkuan.
Reagimi i plotë:
Po përjashtohem e diferencohem sepse:
Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti;
Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti;
Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti.
Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti;
Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti;
Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalen.
U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundershtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar.
Por, të dashur qytetarë të Kosovës, sistemet që themelin mbi të cilin qëndrojnë e kanë diferencimin, janë gjithnjë të destinuara të dështojnë. Kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë edhe tash e tutje, të jeni të bindur. Prandaj po e përsëris atë që e kam thënë në Kuvend më 25 mars:
Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund.
I falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë.
Bring it on! ??






