Kryeministri Avdullah Hoti po e lavdëron javën e tij të parë të punës në krye të ekzekutivit kosovar.
Por, në përmbledhjen e punës javore Hoti ka kërkuar gatishmëri nga opozita për të bashkërenduar qëndrimet e tyre për procesin e dialogut.
“Po ashtu, e kemi bërë publik para opinionit, partnerëve të koalicionit dhe atyre ndërkombëtarë platformën tonë për dialogun me Serbinë. I përkushtuar për konsensus politik, ftova miqësisht dhe institucionalisht opozitën. I falënderoj partnerët e koalicionit për përkushtimin në këtë proces dhe vullnetin e tyre për bashkërendim. Në anën tjetër, pres nga opozita mirëkuptim dhe gatishmëri për të diskutuar e bashkërenduar veprimet e qëndrimet e shtetit të Kosovës lidhur me dialogun në të ardhmen”.
Hoti po ashtu po thotë se për një javë ka arritur që të kthejë normalitetin në marrëdhëniet, sipas tij, të dëmtuara me partnerët ndërkombëtarë.
“Takimet me ambasadorët e Quintit si dhe bisedat telefonike konstruktive e të hapura me administratën Trump në Ëashington, me Brukselin, Berlinin e Parisin, ishin hapi i parë, por shumë i rëndësishëm, për të kthyer në normalitet marrëdhëniet tona të dëmtuara jo pak në të shkuarën e afërt”.
Hoti ka edhe një premtim për javët e ardhshme të qeverisjes.
“Në ditët në vazhdim të gjithë do të shohim një energji të re të Qeverisë për të ndalur rënien ekonomike dhe për ta nxjerrë atë në bregun e normalitetit dhe përparimit, një përkushtim për të promovuar dhe monitoruar masat anti-COVID, të cilat janë jetike për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ekonomisë, si dhe një vullnet për të ulur heshtat e luftës së pakuptimtë politike, e cila çdo ditë e më shumë po kthehet qëllim në vetvete e jo në mbrojte të interesit qytetar. Qëllimi ynë është kthimi i NORMALITETIT dhe ZHVILLIMI. E për këtë na duhet shumë punë e përkushtim”.






