Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria që ai drejton është e përkushtuar në luftën ndaj pandemisë.
Ai, në një takim që ka pasur me përfaqësuesit e Odës së Mjekëve të Kosovës, ka falënderuar profesionistët shëndetësorë, të cilët që prej fillimit të pandemisë e deri në ditët e sotme ishin në krye të detyrës, raporton KOHA.
Kryeministri Hoti ka theksuar se Qeveria do të vërë në zbatim një strategji afatmesme për të përgatitur sistemin shëndetësor në rast të një vale të dytë të pandemisë, me qëllim që të ketë nën kontroll situatën me pandeminë.
Kjo qasje, sipas kryeministrit Hoti, është e nevojshme pasi masat e izolimit dhe distancimit fizik nuk mund të vazhdojnë të mbesin armët e vetme në luftën kundër virusit.
“Për t’u rikthyer gradualisht në jetën tonë të zakonshme, duhet të krijohet një infrastrukturë mobile monitorimi dhe reagimi ndaj COVID-19 dhe ndoshta në të ardhmen, edhe ndaj epidemive të tjera”, tha kryeministri Hoti.






