Lokale - eSIMy

Politologu Belul Beqaj në Deskun e KOHËS ka thënë se mënyra se si u formua Qeveria Hoti bën të dyshohet se a mund t’i besohet apo jo.

Ai ka dhënë disa pika që i ka konsideruar si arsye pse është e vështirë t’i besohet Qeverisë Hoti. Ka theksuar se kandidimi i Avdullah Hotit për kryeministër është mashtrim për votuesit e LDK-së. Sipas Beqajt, Qeveria Hoti s’ka fuqinë e mjaftueshme për t’iu përmbajtur marrëveshjes me Serbinë. Ka thënë se mungesa e unitetit brenda qeverisë, por edhe me opozitën do të dalë si pengesë tejet e madhe për çështjen e dialogut.

“Mendoj se mënyra si është zgjedhur kjo qeveri na bën të dyshojmë seriozisht se mund t’i besohet. Së dyti, fakti se ata të cilët ishin bartës dhe faktorë kryesorë të formimit të kësaj qeverie, që janë në prapavijë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, realisht e kanë mbështet një mashtrim të formimit të Qeverisë sepse përgjatë zgjedhjeve kandidate e patën Vjosa Osmanin e në fund e patën dikë krejtësisht tjetër. E mashtruan elektoratin. Është përbuzje për Vjosën por edhe për elektoratin. Ky është elementi i dytë, aspekti legal, etik e moral dhe legjitim për mënyrën se si u bë natën duke e bindur komandant Topin të votojë tregon se brishtësia e kësaj qeverie s’jep garancione se mund të bartë barrë të cilën është shumë e rëndë për kapacitetin që ka. Ky është elementi i tretë. Dhe elementi që ka të bëjë me aspektin politik. Kjo qeveri s’mund të jetë e fuqishme për të realizuar marrëveshjen siç po mendon fuqia kryesore e botës për arsye se s’ka unitet të brendshëm jo që s’mund të përafrohet por ka hasmëri që paraqitet si pengesë e paevitueshme nëse vihet në referendum për fazën finale. Edhe brenda qeverisë, kur AAK-ja s’votoi për çështjen e reciprocitetit dhe brenda qeverisë e opozitës. S’ka emërues të përbashkët mes VV-së dhe LDK-së dhe atyre që janë në qeveri. Është shumë më larg se para se të krijohej kjo situatë. Kjo është kryegjëja. S’ka unitet rreth përmbajtjes së marrëveshjes mes administratës amerikane që e sheh si trofe për zgjedhje dhe BE-së që kërkon zgjidhje që stabilizon rajonin”, ka thënë Beqaj.