Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, iu ka bërë lutje bizneseve që t’i respektojnë masat mbrojtëse dhe të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Kemi bërë shumë përpjekje dhe mund për të lejuar hapjen graduale të ekonomisë, edhe shumë më shpejt se vendet tjera, por gjithçka mund të kthehet në pikën 0, nëse masat për të cilat jemi zotuar që do t’i respektojmë, nuk respektohen, sidomos në bizneset ku ka grumbullime dhe turma”, është shprehur Rukiqi.
“Bota ka filluar t’i kthehet normalitetit, por ky normalitet tani i ka rregullat e veta. Rregull mbi rregullat është kujdesi për veten dhe të tjerët, duke mbajtur distancën, duke mbajtur maskat (sidomos stafi) dhe duke bërë dezinfektime të rregullta”.
“Mospërhapja e virusit dhe shkuarja drejt përfundimit zyrtar të pandemisë na lejon të fokusohemi në pjesën e masave për rimëkëmbjen e ekonomisë. Sa më shpejt që kemi përfundim zyrtar të pandemisë, aq më e shpejtë do te jetë rimëkëmbja ekonomike”.






