Lokale - eSIMy

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për medie, pas rasteve të reja me koronavirus, ka thënë se gjendja është normale dhe se s’ka vend për panik, njofton Llapi.info.

Zemaj ka thënë se krejt çka duhet është të respektohen rekomandimet nga institucionet relevante.

“Gjendja është normale, s’ka vend për panik ashtu siç është tentuar dhe prezantuar në orët e vona të pasdites. Krejt çka duhet është ta rritim kujdesin, ta mbajmë pastërtinë, distancën dhe t’i respektojmë rekomandimet e IKSHPK-së. Ky është mesazh dhe kjo është lutje. Organet e pavarura qysh sonte do ta shtojnë intensitetin të kontrolleve dhe të mbikëqyrjes. Njëherit, si pjesë e mesazhit është që gjendja të ndryshojë për të mirë, në mënyrë që të mos kemi nevojë të përballemi me masa shtesë për arsye të moskujdesit”, ka thënë ai.

Duke kërkuar që të mos përhapet panik, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka bërë thirrje që të bëhet kujdes.

“Virusi është akoma prezent, mos u besoni deklaratave të ndryshme për shkak të interesave të ndryshme, por besojuni profesionistëve shëndetësorë”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se Qeveria ka marrë vendim që qysh nesër të ketë lëvizje të lirë edhe në kufi.

“T’iu lehtësohet edhe ardhja e bashkatdhetarëve, por në fillim të ruajmë vetveten, tjetrin dhe të gjithë. T’u ndihmojmë bizneseve, familjeve dhe të ndihmojmë rimëkëmbjen ekonomike. Pretendimet tona janë që së shpejti të hapen edhe kufijtë ajrorë, të ruajmë njëri-tjetrin, shëndetin dhe të shtojmë kujdesin. Mos të përhapim panik, sepse s’i ndihmon askujt dhe vetëm e dëmton zhvillimin e Kosovës dhe i ndihmon interesat e individëve edhe në dëmtimin e shëndetësisë kosovare”, ka deklaruar tutje Zemaj./Llapi.info