Një aksident trafiku ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në magjistralen Prishtinë – Podujevë, përkatësisht në fshatin Besi, raporton Llapi.info.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, ku për pasojë, përveç dëmeve materiale, kanë mbetur të lënduar tre persona.
Lajmin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.
“Është raportuar për një aksident trafiku me lëndime në fshatin Besi. Policia është nisur për në vendin e ngjarjes si dhe Emergjenca. Sipas informacioneve fillestare, në këtë aksident janë të përfshira dy automjete. Tre persona kanë marrë lëndime kryesisht të lehta”, ka konfirmuar Hoxha.
Sipas statistikave ditore të PK-së, vetëm dje në Kosovë kanë ndodhur 32 aksidente trafiku, 12 prej tyre kanë rezultuar me persona të lëndur.
Policia e Kosovës ka inkurajuar të gjithë qytetarët që gjatë qarkullimit me automjetet e tyre të jenë më vigjilentë, shpejtësinë e automjeteve ta përshtatin me kushtet e rrugës dhe shenjat e kufizimit të shpejtësisë në trafik t’i respektojnë me përpikëri.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka thënë se do ketë zero tolerancë ndaj gjithë atyre që shkelin rregullat e trafikut./Llapi.info






