Lokale - eSIMy

Me 74 vota për dhe 10 abstenime Kuvendi i Kosovës ka votuar pro formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria e Kosovës.

Propozuesja për formimin e këtij komisioni, Eliza Hoxha nga radhët e PDK-së tha se është në të mirë të të gjithëve që të kemi një raport final.

“Ne kemi propozuar këtë komision hetimor parlamentar në periudhë prej 6 muajve për të hetuar menaxhimin e pandemisë. Mendoj që ky komision i bënë nder edhe LVV-së me rezultatet që do të dalë në fund”, ka thënë Hoxha.

Në përbërje të këtij komisioni do të jenë: Mimoza Kusari-Lila kryesuese e komisionit, anëtarë nga LVV-ja Labinotë Demi-Murtezi dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, nga LDK-ja anëtarë do të jenë Ekrem Hyseni, Ilir Ferati dhe Veton Berisha, nga PDK-ja, Eliza Hoxha do të jetë zëvendëskryesuese e komisionit dhe Bekim Haxhiu anëtarë, nga AAK-ja anëtarë do të jetë Shkumbin Demalijaj, nga Lista Serbe anëtarë Millosh Peroviq dhe nga Nisma, Endrit Shala.