Gjylieta Mushkolaj, ish-gjykatëse e Kushtetueses, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se në Qeverinë Hoti tani serbët vetëm mund ta bëjnë Asociacionin me Komuna Serbe.
Ajo ka folur për marrëveshjen me Serbinë rreth Asociacionit të Komunave Serbe me kryeministër Isa Mustafën, e cila marrëveshje ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Mushkolaj ka treguar Kuvendi nuk kishte votuar vetëm aktin e marrëveshjes, porse edhe planin e veprimit.
“Besoj që ne kemi qenë pak të padrejtë në periudhën ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa, kur është lidhur marrëveshja për asociacionin ka qenë veçse e shtruar rruga gati e sigurt se çfarë do të rezultojë në marrëveshjen që do të pasojë. Ajo që ne mund ta vërejmë tash është se marrëveshja e 2013 kur është votuar nga ana e Kuvendit nuk është votuar vetëm akti i marrëveshjes me rastin e ratifikimit me ligj të asaj marrëveshje. Është ratifikuar edhe plani i veprimit, i cili i përfshinte edhe detajet për themelimin e Asociacionit të Komunave”, ka thënë Mushkolaj. “Firma është vendosur, mirëpo i Kosovës – nuk është e vërtetë që vetëm atë marrëveshje të parimeve e ka nënshkruar. E ka nënshkruar në dy raste të ndara edhe planin e veprimit. Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar vetëm marrëveshjen për parime, e ka miratuar në të njëjtin ligj për ratifikim, respektivisht e ka ratifikuar edhe planin e veprimit”.
Tutje ajo ka thënë se gazeta zyrtare e Kuvendit është mashtruese.
“Është interesante që në gazetën zyrtare të Kosovës nuk përfshihet ligji i plotë i ratifikuar nga ana e Kuvendit të Kosovës. Ka pasur shumë debate, deklarata kundër përfshirjes së planit të veprimit në atë ligj të ratifikuar. Por, fatkeqësisht ai është votuar me më shumë se 2/3 e votave dhe nëse e shikoni sot gazetën zyrtare ajo është mashtruese, sepse nuk e përfshinë planin e veprimit. E gazeta zyrtare në këtë rast është mashtruese”, ka thënë ajo.
Mushkolaj ka shtuar se Kuvendi i Kosovës gjithmonë i përmban ligjet e miratuara dhe nëse ka – ligjin që e miraton vet dhe në një vend tjetër ligjin ashtu siç shpallet nga ana e presidentit dhe publikohet në gazetën zyrtare.
“Tash ishin zhdukur ligjet nga ana e portalit të Kuvendit të Kosovës, ligjet e më hershme sepse ka ndodhë shumë shpesh që ligji i miratuar nga ana e Kuvendit të mos shpallet me dekret nga ana e presidentit. Presidenti ka të drejtë të vetos dhe rishqyrtohet përsëri në Kuvend por ajo që është e rëndësishme për ne dhe për gjeneratat e ardhshme, duhet ta dinë rrugën. Ne tash nëse e shikojmë gazetën zyrtare nuk kemi ligj të ratifikuar planin e veprimit, e ne e dimë, sepse nuk ka qenë shumë moti, që ai plan i veprimit është ratifikuar nga ana e Kuvendit”, ka thënë Mushkolaj.






