Lokale - eSIMy

Lëvizja Vetëvendosja, dega në Podujevë, ka njoftuar se që nga dita e nesërme do të dalë tri pika në këtë komunë për t’i kërkuar nënshkrimet e qytetarëve nëpërmjet peticionit, njofton Llapi.info.

“Kosova, prej 3 shkurtit 2020, e pati një qeveri të re e të mirë. Ajo zvogëloi veten e forcoi shtetin. Me reciprocitet e dinjitet në politikën e jashtme, me luftën kundër korrupsionit në borde e administratë, me transparencë e mirëmenaxhim, Qeveria Kurti e fitoi besimin e qytetarëve si asnjë qeveri më përpara. Këtë e kanë vërtetuar dhe matjet e opinionit publik të UNDP-së. Por kjo qeveri u rrëzua me mocion mosbesimi në 25 mars 2020, ku partitë e vjetra e presidenti u bënë bashkë për ta ndalur ndryshimin. Sipas Kushtetutës dhe precedentëve, vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të reja, por një vendim skandaloz dhe i dyshimtë i Gjykatës Kushtetuese, i hapi rrugën një qeverie e cila për herë të parë do të krijohej pa zgjedhje prej humbësve të zgjedhjeve dhe partive e njerëzve që nuk gëzojnë as mbështetje e as legjitimitet”, thuhet në njoftim.

“Ne kemi filluar peticion duke mbledhur nënshkrime në kërkim të zgjedhjeve të reja si e vetmja mënyrë e daljes nga kjo krizë. Nga nesër, 2 qershor 2020, e gjatë gjithë javës, prej orës 10:00, do të jemi të vendosur me tendë në sheshin “Ali Ajeti”, te udhëkryqi afër kafiterisë “Te Pranvera” si dhe në afërsi të ures afër Xhamisë në mbledhje të nënshkrimeve për peticion”, thuhet tutje.

Ndryshe, këso organizimesh janë paraparë të fillojnë nesër edhe në disa komuna tjera të Kosovës./Llapi.info