Vetëvendosje mund të mbetet pa asnjë post të lartë institucional, ani pse doli partia e parë në zgjedhjet e 6 tetorit.
Pavarësisht nëse votohet Qeveria e re me Avdullah Hotin kryeministër, kjo parti nuk e ka në plan t’ia kërkojë dorëheqjen kryeparlamentares Vjosa Osmani.
Nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë se kjo nuk është diskutuar fare në parti edhe për faktin e bashkëpunimit tejet të mirë me Osmanin.
KOHA ka pyetur edhe Kabinetin e kryetares së Kuvendit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje në atë se cili do të jetë qëndrimi i Osmanit, se a do të mbetet apo jo në këtë post.
Monitoruesi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi, thotë se në rast të dorëheqjes së Vjosa Osmanit mund të bllokohet puna e Legjislativit, raporton KOHA.
Sipas Krasniqit, zgjedhja e kryetarit apo kryetares së re do të jetë e vështirë pasi Vetëvendosje, që e ka të drejtën e propozimit, e ka humbur shumicën në Kuvend.
Vjosa Osmani ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit pasi ishte propozuar për këtë post nga Vetëvendosje, pas marrëveshjes për bashkëqeverisje që kjo parti kishte arritur me LDK-në.
Këto dy parti ndanë rrugët në Qeveri, pasi LDK-ja inicioi mocionin për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti më 25 mars.






