Sot janë bërë 31 vjet nga rënia heroike e veprimtarit të çështjes kombëtare Ali Ajeti, njofton Llapi.info.
Ali Ajeti ishte nga veprimtarët politik që i kishin dhënë emër kërkesave të shqiptarëve në Kosovë që nga pranvera e vitit 1981 e 1982 me demonstratat masive.
Ali Ajeti pas vuajtjes së burgut politik 1984 – 1988, i përkiste tashmë një rrethi të veprimtarëve të vendosur, të gatshëm për t’u sakrifikuar për lirinë e Kosovës. Ai i takonte një grupi të organizuar dhe të armatosur të cilët organizonin demonstrata dhe sulme mbi okupuesit. Veprimtaria e këtij grupi i përkiste “Çështjes Kombëtare”, e ky grup më vonë (dhjetor 1989) u quajt “Çeta e Llapit”.
Ali Ajeti ishte sinonim i trimërisë, i devotshmërisë për atdheun, i vetëmohimit, përkushtimit dhe sakrificës. Ai që nga rinia e hershme e tij ishte përcaktuar për luftë të pa kompromis kundër pushtuesit dhe nuk u ndal asnjëherë.
Nga rruga e lirisë nuk mundën ta ndalin as burgjet, ndjekjet, vuajtjet e as rreziqet. Nga rruga e lirisë e ndalën plumbat e policisë vrastare të okupatorëve. Armiqtë, me plumba e ndalën jetën e tij, por jo idealin e tij – çlirimin e Kosovës.
Ajeti pas vuajtjes së burgut politik 1984 – 1988, i përkiste tashmë një rrethi të veprimtarëve të vendosur, të gatshëm për t’u sakrifikuar për lirinë e Kosovës.
Më 30 maj 1989, komandanti i “Çetës heroike të Llapit”, Ali Ajeti bie duke luftuar trimërisht e heroikisht kundër policisë së Milosheviqit, në fshatin Shtedim.
Në nderim të tij, më 15 shkurt të vitit 2018 shtatorja e heroit emblematik u vendos në qendër të Podujevës, në sheshin që mbanë emrin tij.
Po ashtu, emrin e këtij heroi e mban edhe shkolla në fshatin e lindjes, aty ku i mori mësimet e para./Llapi.info






