Për shkak të parandalimit të përhapjes së COVID-19, objektet fetare tash e një kohë kanë qenë të mbyllura, shkruan Llapi.info.
Por, nga sot besimtarët e fesë islame kanë mundësi që ritualet e tyre fetare t’i kryejnë nëpër xhamitë Podujevës. Kjo pasi që tashmë të gjitha xhamitë në territorin e Podujevës janë hapur.
Në të gjitha këto objekte fetare tashmë ka nisur edhe dezinfektimi i hapësirave, derisa po apelohet që xhemati t’u përmbahen rekomandimeve të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Lajmin për hapjen e xhamive në Podujevë e ka konfirmuar për Llapi.info edhe kryetari i Bashkësisë Islame në këtë Komunë, Mensur Hoti.
“Edhe ne i kemi respektuar vendimet e Bashkësisë Islame, tashmë në Podujevë janë hapur të gjitha xhamitë. Përgatitjet janë bërë, janë dezinfektuar hapësirat në xhami, derisa në disa prej tyre ende është duke vazhduar. Rekomandimet që xhemati pas propozimeve janë që të mbajnë distancën, t’i bartin maskat dhe dorëzat, të marrin abdes në shtëpi”, ka thënë Hoti.

Ndërkohë, edhe Bashkësia Islame e Kosovës ka publikuar udhëzimet e masat që duhet zbatuar besimtarët pas hapjes.
Ndër masat që duhet marrë janë: marrja e abdesit në shtëpi, të përdoren maska dhe dezinfektues, të ruhet distanca sociale, ligjërata e xhumasë të mos zgjatë më shumë se 10 minuta.
Në këtë fazë të lehtësimit të masave, institucionet shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vendosin maska e dorëza, në çdo vend që ata frekuentojnë.
Ndryshe, që nga 13 marsi e deri tani në Kosovë me virus korona janë infektuar 1 mijë e 48 persona, 801 persona prej të infektuarve janë shëruar, kurse 30 persona kanë humbur jetën por që kishin edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info








