Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, Bajram Ajeti, sot ka dorëzuar kërkesën dhe propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë me datën 14 qershor, njofton Llapi.info.
Në letrën drejtuar KQZ-së, Vetëvendosje vlerëson se janë krijuar kushtet dhe rrethanat për t’u mbajtur zgjedhjet për të parin e Komunës së Podujevës.
“Pezullimi i zgjedhjeve komunale për kryetar komune është bërë me datën 14.03.2020, nga presidenti për shkak të parandalimit të përhapjes së coronavirusit. Situata e krijuar në vend e posaçërisht në komunën tonë ku nuk kemi asnjë rast aktiv të infektuar me Covid-19 mbi një muaj. Vlerësojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat për t’u mbajtur zgjedhjet. Ne sot dorëzuam propozimin tonë dhe presim që KQZ-ja në koordinim me institucionet shëndetësore të caktojnë datën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
Zgjedhjet në Podujevë ishin paraparë të mbaheshin më 14 mars, por që ishin anuluar për shkak të masave kundër COVID-19.
Zgjedhjet që i kushtuan shtetit rreth gjysmë milioni euro vijnë pasi ish-kryetari i komunës, Agim Veliu u emërua ministër i Punëve të Brendshme.
Në garë për të parin e Podujevës janë Shpejtim Bulliqi (VV), Nexhmi Rudari (LDK) dhe Naim Fetahu (PDK)./Llapi.info






