Në Komisionin për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, të martën ka raportuar sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi.
Kryetarja e Komisionit, deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, pas mbledhjes ka thënë se Kuvendi ka vendosur që më 4 qershor të formojë Komisionin hetues parlamentar për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
“Kjo është një e mirë sepse pastaj në këtë Komision do të hetohen të gjitha detajet dhe procedurat dhe do të dal komplet e vërteta në lidhje me menaxhimin e pandemisë”, është shprehur Reshitaj, raporton KOHA.
Ajo ka thënë se disa nga anëtarët e Komisionit kanë kërkuar që të votohet që të gjitha dokumentet e marra nga institucionet lidhur me pandeminë të dërgohen në Prokurori dhe që t’i bëhet ftesë që të hetojë lidhur me këtë.
Por Reshitaj ka thënë se votimi i këtij propozimi është pamundësuar pasi që deputetët nga radhët e LVV-së janë larguar nga salla e mbledhjes dhe nuk kanë pasur kuorum për votim. Ajo ka theksuar se nesër do të mbajnë edhe një mbledhje në mënyrë që të votojnë këtë propozim. Ndër dokumentet që sipas saj i kanë siguruar janë ato për disa kontrata për blerje të ndryshme gjatë pandemisë, të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Por anëtarja e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinota Demi, ka thënë se nuk është në kompetencën e Komisionit që të përcjellin lëndë në Prokurori.
“Për këtë shkak e konsultuam asistenten e Komisionit për shëndetësi dhe ajo na tha që asnjëherë komisionet parlamentare nuk kanë dërguar materiale në hetuesi, ngase kjo bie ndesh me rregulloret e punës së komisioneve dhe parlamentit në përgjithësi”, është shprehur Demi.
Ajo ka thënë se nuk janë kundër hetimeve porse nuk janë për shkelje të rregulloreve.
“Ne jemi për hetim të përgjithshëm, të paanshëm, për korrektësi për transparencë, ashtu sikurse edhe ka kërkuar Qeverisa e ministria, por jo të shkelim rregullat”, ka theksuar Demi.






