Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se papunësia dhe drejtësia janë prioritetet e qeverisjes së tij.
Në një bisedë online me studentët e Universitetit të Harvardit, Kurti ka folur për 100-ditëshin dhe krizën politike në Kosovë.
Ngjarja është moderuar nga R. Nicholas Burns, profesor i Universitetit të Harvardit dhe ish-diplomat amerikan.
“Jam zgjedhur kryeministër në kohën kur korrupsioni dhe papunësia janë problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët tanë dhe që janë arsyeja kryesore që ata synojnë të largohen nga shteti”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se program qeverisës i Qeverisë së tij organizohet rreth dy prioriteteve. I pari është drejtësia.
“Mbi të gjitha kjo nëkupton betejën e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për shembull, të gjitha ndërmarrjet tona humbin miliona euro shkaku I keqmenaxhimit. Prandaj, kemi nisur t’i zëvendësojmë bordet e ndërmarrjeve me ekspertët e fushës. Beteja po ndërmerret përmes pakos së ligjeve të reja. Kemi krijuar ekipe ekspertësh ligjorë. Beteja kundër tajkunëve ekonomikë është sfida më e madhe që na pret”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se prioriteti i dytë është krijimi i vendeve të punës.
“Këtu ka shumë për t’u bërë, por gjëja më e rëndësishme që do ta transformonte ekonominë janë investimet nga jashtë. Kemi papunësi të lartë, por popullatë të re, të rrjedhshme në shumë gjuhë të huaja”, ka thënë ai.
“Puna dhe drejtësia janë dy shqetësimet kryesore të miat, por si kryeministër jam i vendosur t’i udhëheq negociatat me Serbinë, për normalizimin e raporteve tona dypalëshe”, ka thënë ai.
Sa i përket dialogut, Kurti e ka ritheksuar rëndësinë e parimeve në dialog. Po ashtu, u ka treguar studentëve emrat që i ka propozuar për të marrë pjesë në këtë dialog. I ka ritheksuar tri parimet e tija.
Bisedën e ka nisur me një citat të Ukshin Hotit.
“Më kujtohet ta kem lexuar Hotin dhe ai vazhdon të më shërbejë si inspirim. Nuk e kam ndërmend të dorëzohem. Hoti s’është dorëzuar kurrë. Pas studimeve të tij në SHBA, ai u kthye në Kosovë dhe nuk e pranoi regjimin e apartheidit”, ka thënë Kurti.
Kurti u ka treguar më pas studentëve se Hoti vazhdon të jetë në mesin e të zhdukurve. Studentëve të Harvardit më pas u ka folur edhe për presidentin amerikan, John F. Kennedy.
“Duhet të jeni mirënjohës që jenë studentë të këtij universiteti, njëjtë si unë që jam krenar me Hotin”, ka thënë Kurti.






