Deklaratave të kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit, se opozita nuk ka ditur ta kritikojë gjatë mandatit të tij qeverisës i është përgjigjur edhe deputetja e PDK’së, Blerta Deliu-Kodra. Në një përgjigje për Express, ajo ka thënë se partia e saj e ka kritikuar Qeverinë kur vendimet kanë afektuar interesat publike dhe nacionale.
“Së pari, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet ta kuptojë se Qeveria është shkarkuar ende pa u konsoliduar në qeverisje. Në një mënyrë të gjithë e dimë dhe pajtohemi se kërkohet ai 100 ditëshi për një ekzekutiv që të konsolidohet në qeverisje dhe ne e kemi respektuar këtë normë, nëse mund të themi, për t’i lejuar të marrë frymë Qeverisë së re”, ka thënë Deliu-Kodra.
Anëtarja e kryesisë së PDK’së tha se partia e saj e ka kritikuar Qeverinë për buxhetin, por edhe për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Por, siç e di edhe Kurti edhe i gjithë opinioni, ky konstruktivitet yni ka vlejtur vetëm në raport me politikat e përgjithshme qeverisëse dhe ne kemi qenë të fuqishëm në reagim kur vendimet e Qeverisë kanë afektuar interesat publike dhe ato nacionale, siç ju kujtohet rasti me buxhetin, pastaj me pasivitetin e Qeverisë në ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për parandalimin e infektimeve të para me coronavirus dhe sidomos kërcënimi i marrëdhënieve tona me SHBA’të”, ka thënë Deliu Kodra.
Blerta Deliu – Kodra
Në një përgjigje për Express, Deliu-Kodra ka përmendur edhe prishjen e koalicionit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku thotë se prishja e tij krijoi një situatë të rrezikshme në vend.
“Sa i përket aspektit të mocionit, PDK nuk ka kontribuar në asnjë formë në rezultimin e tij, as në shkaktimin e krizës as në iniciativën politike më pas për ta konkretizuar mocionin me mbledhjen e nënshkrimeve nga deputetët. Por, me thellimin e krizës politike e sidomos duhet veçuar eskalimin në armiqësi të raporteve mes partnerëve qeverisës, u krijua një situatë e rrezikshme institucionale për t’u toleruar”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra tha se Kurti ka thelluar klimën politike brenda Qeverisë, në kohën e oandemisë kur sipas saj do duhej të kishte stabilitet institucional.
“Koha sot është dëshmitare se ne e kem votuar mocionin pa asnjë interes vetanak politik, por thjesht për faktin se ajo situatë e krijuar kërkonte një rrugëdalje emergjente. Qeveria e mbetur Kurti në vend se të tregonte shenja të rikuperimit të saj, po e përsëris, sidomos në këtë kohë të nevojës imediate për stabilitetet qeveritar e insitutcional, ai (Kurti) vetëm po e thellonte dhe armiqësonte klimën politike brenda Qeverisë duke shkaktuar pasoja të rënda në menaxhimin efektiv të pandemisë”, ka deklaruar ajo.
Shefi në detyrë i Qeverisë së Kosovës, një natë më parë në “DPT te Fidani” në T7 tha se Lëvizja Vetëvendosje e bën më mirë edhe qeverisjen edhe opozitën.
Ai tha se opozita nuk e ka kritikuar gjatë kohës kur ka qeverisur. Sipas Kurtit, opozita vetëm ka bërtitur kundër tij, por nuk e ka kritikuar.
“Dështim, mashtrim, gënjeshtër, është një lloj bërtitje kundër neve, pa kritikë tamam, unë nuk po shoh kritikë. Lëvizja Vetëvendosje si opozitë ka marrë aksione radikale për kah tema, aksioni radikal ka qenë i paraprirë nga një kritikë e stërholluar. Kritikë ndaj qeverisjes tonë nuk po shoh, po shoh sulme e akuza nga ata që nuk po duan ta kupotojnë se ardhmëria në Kosovë ka një datë, ajo është 6 qershori”, tha Kurti.






