Lokale - eSIMy

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe në zgjedhjet e fundit të garojë për deputet.

Ai së fundi nuk u zgjodh pas shumë mandatesh në Kuvend, por për këtë ia lë edhe vetës fajin. Thotë se nuk u angazhua shumë. E njëjtë thotë se do të veprojë edhe tash.

“Unë në politikë jam, nuk do të tërhiqem, por unë nuk shkepi pare, nuk jap lek për vota. Unë nuk i them dikujt mos i voto kundërshtarët. Kanë ndodhur në të gjitha partitë, partitë e kanë hëngër vetveten përbrenda, shijoje LDK-në. Edhe në PDK ka përplasje e pakënaqësi, por kjo është demokratike”, ka thënë Haliti në emisionin “Desku” në KTV.

Haliti ka folur edhe për afërsinë që ka me liderin e tashëm të PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-liderin, tashmë president i Kosovës, Hashim Thaçi. Tha se me ta përplaset më shumë se me këdo për çështje politike, por me asnjërin nuk prishet.

“I njoh të dy shumë mirë, edhe ata janë shokë dhe janë shokë të pandarë. Tjetër, nuk di që ka njerëz në parti të Thaçit e të Veselit, por e di që me dikë je më shumë shokë e me dikë më pak. Ka që mendojnë se Thaçi ka qenë për një çështje të caktuar më i aftë se Veseli, ka të tjerë që mendojnë se Veseli për ndonjë çështje ka ide më të mira, por nuk do të thotë që janë të ndarë. Lufta politike është e pamëshirshme, është betejë gjithmonë, po s’i ndejte gati mbetesh në margjina”, ka thënë Haliti.

Haliti tregoi edhe për nismën që është marrë brenda partisë, formimi i Departamentit të grupeve të interesit, ku është emëruar drejtor. Sipas tij, po punohet në dokumentacion dhe ky departament do të punojë me sindikatat e arsimit, shëndetësisë, me punëtorët.

“Ka të bëjë me krijimin e aleancave me PDK-në, ata që duan t’i bashkëngjiten procesit në parti, nuk marrin asgjë për kthim, por partia do të punojë në realizimin e interesave të tyre”, ka shpjeguar ai.