Lokale - eSIMy

Llapi kishte planifikuar të hënën të organizonte stërvitjet me futbollistët e tij në disa grupe. Por, një plan i tillë, skuadrës nga Podujeva i ka dështuar. Kjo, pasi nuk është lejuar nga Policia e Kosovës dhe Komuna e Podujevës, për shkak të masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, pas përhapjes së koronavirusit në vendin tonë. Trajneri Tahir Batatina ditë më parë kishte paralajmëruar se Llapi do të jetë skuadra e parë që do të dalë në fushën e stadiumit “Zahir Pajaziti”, për të rifilluar stërvitjet duke ndjekur shembullin e ekipeve të Bundesligës së Gjermanisë.

Madje, thotë se kishte bërë të gjitha përgatitjet për të nisur stërvitjet pas një pauze prej rreth një muaji. Kampionati në Kosovë është pezulluar muajin e shkuar, me vendimin e Qeverisë së Kosovës pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus. Vetë trajneri Batatina ka bërë të ditur se ka njoftuar lojtarët që stërvitjet e planifikuara të mbahen në stadiumin “Zahir Pajaziti”, janë anuluar për shkak të rrezikshmërisë nga pandemia COVID-19.

“Pas konsultimeve me organet kompetente, Policinë dhe Komunën kemi vendosur të vazhdojmë edhe disa ditë me stërvitje individuale. Ka qenë e pamundur nisja e stërvitjeve në grup për shkak të masave. Por, përkundër kësaj u kam dhënë lojtarëve plan-programin që të vazhdohet me stërvitje në shtëpi. Edhe pse stërvitjet individuale dallojnë me ato grupore, deri në përmirësimin e situatës do të vazhdojmë të punojmë kështu”, u shpreh Batatina.