Tash e një muaj vendi ynë është duke u përballur me pandeminë e coronavirusit, ndërsa Qeveria e Kosovës në detyrë ka ndërmarr masa disa herë në mënyrë që të kufizohet lëvizja e lirë e qytetarëve me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë.
Qeveria fillimisht kufizoi lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve, në intervalin prej orës 10:00 deri në 16:00 dhe prej orës 20:00 deri në 06:00. Por, kjo masë u ndryshua nga Qeveria pasi shkaktohej tollovi në barnatore dhe markete, duke bërë orarin e ri të kufizimit nga ora 17:00 deri në 06:00.
Por edhe ky orar u ndryshua, pasi një vendim i tillë doli të jetë kundër kushtetues, shkruan Telegrafi.
Pas kësaj dhe rritjes së numrit të të infektuarve, ku aktualisht janë 377 të infektuar me coronavirus në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë masa të reja, që kufizojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke i lënë hapësirë për lëvizje vetëm 90 minuta, në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit.
Pas masave të fundit, nga Policia e Kosovës thonë për Telegrafin se janë të gatshëm për të menaxhuar situatën.
“Policia e Kosovës (PK), referuar vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe referuar Planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër coronavirus të ri COVID-19, me kohë ka hartuar urdhrin operativ policor të quajtur ‘UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19’. Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Telegrafin.
Policia bën të ditur se “urdhri operativ i PK-së, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, preventimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë”.
“Policia e Kosovës, po vazhdon punën e saj me angazhimin e personelit policor me orare të zgjatura, me qellim te realizimit të detyrave dhe përgjegjësive te saja ligjore si dhe zbatimin e vendimeve te institucioneve të RKS-së. Duke e kuptuar edhe nevojën e angazhimeve shtese, Policia e Kosovës vazhdon te angazhohet me kapacitetet e saja për te menaxhuar me situatën dhe rrethanat e krijuara, me qëllim të ruajtjes së rendit, sigurisë dhe shëndetit publik”.
Tutje PK thekson se në ato raste kur nuk respektohen vendimet dhe dispozitat e caktuara që kanë për interes shëndetin publik dhe parandalimin e përhapjes se virusit. Policia e Kosovës ndërmerr veprimet ndëshkuese, ku gjatë 24 orëve të fundit ka evidentuar 37 raste ndaj 55 personave për mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë.






