Edhe tri raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Kosovë, kështu duke çuar numrin e të infektuarve në 227, raporton Llapi.info.
Sipas IKSHPK-së, tri raste pozitive të sotme janë raste kontakti, një (1) rast me vendbanim nga Suhareka, një (1) rast me vendbanim nga Hajvalia-Prishtinë, një (1) rast me vendbanim nga Leshak- Leposaviq.
“Sot më 09 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 117 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjithsej tre (3) prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, një (1) rast me vendbanim nga Suhareka, një (1) rast me vendbanim nga Hajvalia-Prishtinë, një (1) rast me vendbanim nga Leshak- Leposaviq”, thuhet në njoftimin e Institutit.
“Nga data 08 shkurt deri më 09 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.687 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej dyqind e njëzet e shtatë (227) raste me 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Nga data 13 mars 2020 kur janë konfirmuar dy rastet e para, deri me 09 prill 2020 gjithsej dyqind e njëzet e shtatë (227) raste pozitive të konfirmuara për virusin SARS-CoV-2”, theksohet në njoftim.
Ndërkaq, sot është shëruar edhe një (1) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej tridhjetë e tetë (38).
Po ashtu, sot më 09 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një rast i vdekjes nga fshati Vrapçiq-Gjilan i gjinisë mashkull, të moshës 72 vjeç dhe i konfirmuar me COVID-19 me datë 23 mars 2020. Është trajtuar në repartin intenziv të Klinikës Infektive nga data 31 mars 2020. Pacienti ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese./Llapi.info






