Lokale - eSIMy

Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor, pasi dje kanë pranuar një ankesë me pretendimet se i njëjti gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, më 5 prill të këtij viti, në lagjen ‘’Velania’’ në Prishtinë, ka keqtrajtuar një 21 vjeçar.

Sipas pretendimeve të familjarëve të viktimës, 21 vjeçari thuhet se kishte pësuar dëmtime në kokë pas incidentit që e ka pasur me një zyrtar policor, njofton Klan Kosova.

”Rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast.

Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot zyrtarin policor (punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident”, thuhet në kumtesë.

Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.