Edhe gjashtë raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar sot në Kosovë, duke çuar numrin e të infektuarve në 132, raporton Llapi.info.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, sot janë testuar 105 mostra, 6 prej tyre kanë rezultuar pozitive.
“Sot më 03.04.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 105 mostra të marra nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga mostrat e marra për testim në virusin SARS-CoV-2, gjashtë (6) prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, katër (4) prej të cilave janë me vendbanim në Llugagji -Pejë, një (1) me vendbanim në Pejë dhe një (1) e karantinuar”, thotë IKSHPK.
“Nga data 08.02.2020 deri me 03.04.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.605 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 132 raste me 1 rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç. Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 2.772 kontakte të rasteve”, vijon njoftimi./Llapi.info






