Lokale - eSIMy

Një zyrtar policor është infektuar me virusin COVID-19.

Kjo është konfirmuar për Indeksonline nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Kelani tha se zyrtari policor nuk ka pasur ndonjë kontakt me zyrtarët e tjerë policor, pasi që i njëjti ka qenë në pushim mjekësor, për shkak të problemeve të tjera shëndetësore.

Madje u theksua se Policia e Kosovës përmes Drejtorisë Së Shërbimeve Shëndetësore po kujdeset që zyrtarët policor t’i posedojnë pajisjet e nevojshme mbrojtëse.

“Në rastet e nevojshme për kujdesje mjekësore po bashkëpunon me institucionet e shëndetësisë”, tha tutje Kelani.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë tanimë ka shkuar në 90, duke e bërë kështu edhe më shqetësuese situatën e përgjithshme në vend.

Që nga data 13 mars kur edhe u konfirmua rasti i parë me COVID-19, Qeveria e Kosovës ndërmori masa të ndryshme parandaluese ndër to ndalimi i shumë veprimtarive si dhe porosia që qytetarët të qëndrojnë sa më tepër në shtëpi.

Që nga ajo datë vendimet u ndryshuan herë pas here, por që tashmë qytetarëve iu është kufizuar lëvizja që nga ora 17:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit, në mënyrë që të mbrojnë veten, familjen dhe gjithë qytetarët e tjerë.