Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.
Presidenti Thaçi theksoi se seanca e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur të mërkurën më 25 mars, që në agjendë kishte Mocionin e Mosbesimit për Qeverinë e Kosovës, ka konfirmuar edhe njëherë standardin e lartë të demokracisë në shtetin tonë, si dhe respektin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Sipas njoftimit, ai dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që procedurat e mëtutjeshme për formimin e një qeverie të re duhen bazuar plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur rolin vital të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces.
“Thaçi përsëriti që Kosova është e bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vetëm po forcohet në këto kohë të vështira për të dyja vendet”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit për media, Thaçi dhe Kosnett kanë shprehur respektin më të lartë për përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për ta luftuar virusin COVID-19.





