Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka adresuar akuza të rënda ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.
Bulliqi ka thënë se LDK-ja për t’ia ruajtur karrigen atij, po dëshiron t’i shkaktojë dëme Kosovës prej shtatë milionë eurosh për zgjedhje të reja. Bulliqi ka deklaruar se për këtë, Podujeva ia ka parë sherrin Veliut, e tash, sipas tij, edhe Kosova.
“Shteti po minohet nga të zgjedhurit e popullit. Më mirë me thanë nga disa profiterë politikë që s’kanë pasur guximin për të dalë në zgjedhje. Por, fatkeqësisht, kanë kapur partitë e tyre politike për të realizuar interesat e tyre personale se të tillë kanë qenë gjithherë. Të tillët po tentojnë t’i shkaktojnë Kosovës një dëm prej 7 milionë eurosh, vetëm për t’ia ruajtur karrigen një individi i cili është i sëmurë për pushtet”, ka thënë Bulliqi.
Deputeti i VV-së në seancën që është duke u mbajtur për rrëzimin e Qeverisë, ka shtuar se asgjë nuk mund të ndal rritjen e partisë së tij.
“Mund të rrëzoni Qeverinë edhe të vononi Kosovën në rend dhe ligj. Por ju s’mundeni të ndalni rritjen e Vetëvendosjes dhe fitoren e madhe që pashmangshëm do të vijë”, ka thënë Bulliqi./Llapi.info






