Lokale - eSIMy

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesër në orën 14:00, për të vendosur rreth seancës për shqyrtimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Këtë për KOHËN e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për medie i kryetares së Kuvendit.

“Kryesia ka mbledhje, të martën në ora 14:00. Ndërkohë i kemi bërë kërkesë Institutit Kombëtar për Shëndetin publik për të na dhënë një mendim profesional, lidhur me kushtet për mbajtjen e seancës”, ka thënë ai.

Dita e mërkurë është afati i fundit kur do të duhej të vihej në votim para deputetëve mocioni i iniciuar nga LDK-ja javën e kaluar.

Zyrtarë të kësaj partie kanë konfirmuar edhe të hënën se do të vazhdohet tutje me iniciativën e rrëzimit të Qeverisë, pjesë e së cilës janë edhe vet.

Sipas Kushtetutës, mocioni i mosbesimit vihet në rend dite në Kuvend, jo më vonë se pesë ditë, e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij.