Ambasada amerikane në Prishtinë, ditë më parë ftoi të gjithë liderët e partive politike në Kosovë, si dhe atyre rajonalë, që t’i lënë anash dallimet partiake në këtë kohë, në mënyrë që të fokusohen për nevojat e qytetarëve.
Pas përhapjes së virusit korona në mbarë botën, ambasada thirri që tani s’është koha që dallimet partiake të bëhen shkak që të mos t’i dilet në ndihmë njëri-tjetrit.
“Viruset s’njohin kufi. Tani nuk është koha për të lejuar që dallimet politike vendore dhe rajonale të mos lejojnë që t’i ndihmojmë njëri-tjetrin, në këtë kohë të nevojës kolektive”, thuhej në deklaratën e ambasadës së SHBA-së.
Më tej, ambasada citoi edhe deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trumpit, që ka thënë se “të gjithë ne jemi në këtë së bashku. Ne duhet ta lëmë politikën mënjanë, ta ndërprejmë mendje-ngushtësinë, dhe të bashkohemi gjithë së bashku si një komb dhe një familje. E ardhmja jonë mbetet më e ndritshme sesa mund të imagjinohet. Duke vepruar me dhembshuri dhe dashuri, ne do të shërojmë të sëmurët, do të kujdesemi për ata në nevojë, do t’i ndihmojmë bashkëqytetarët tanë dhe do të dalim nga kjo sfidë më të fortë dhe më të unifikuar se kurrë më parë”, thuhej tutje në reagimin e ambasadës./Llapi.info







