Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve ka marrë vendim që të gjitha parqet nëpër të gjitha komunat e Kosovës do të mbyllen nga ora 08:00 deri në ora 20:00.
Sipas një njoftimi të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Policia e Kosovës do të jetë në të gjitha pikat ku janë parqet dhe nuk do të lejojë asnjë qytetar që t’i frekuentojë ato.
“Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë vendimet e organeve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse ato po bëhen me qëllim të ruajtjes së shëndetit tuaj dhe të familjes tuaj. Po ashtu ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës që gjatë daljeve publike, të mbajnë distancën sociale me njëri-tjetrin”, ka thënë MPB-ja në njoftimin për media.
Po ashtu, kjo ministri ka njoftuar se nga nesër obligohen të gjitha marketet dhe dyqanet që janë të lejuara të punojnë, që të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër.
Gjithashtu, MPB thekson se nga nesër në të gjitha lokalet do të ndalohet shërbimi i kafesë si brenda ashtu edhe për t’i marrë me vete (Take-Away), pavarësisht llojit të shërbimit primar.
“Ju lutem që t’i ndiqni këto udhëzime sepse këto po bëhen për të mirën tuaj, sepse vetëm kështu do t’i ndihmoni edhe institucionet e shtetit që bashkërisht t’ia dalim edhe kësaj sfide. Ju ftojmë që të kontribuoni duke qëndruar në shtëpi, për të mos i humbur mundin mjekut, policit, ushtarëve të FSK-së, doganierëve, ekipeve emergjente dhe të gjithë atyre që po japin kontribut për të tejkaluar këtë situatë”, ka theksuar MPB-ja.
Në fund, ministria njofton se të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi nga nesër prej orës 08:00.






