Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka njoftuar se janë marrë disa masa të reja për institucionet shëndetësore, me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit që ka kapluar vendin.
Në një intervistë për Klan Kosova ai bëri të ditur se mes tjerash janë urdhëruar që menjëherë të ndërpresin punën edhe Banja e Kllokotit, Nëna Naile dhe Onix Spa, kjo me qëllim të parandalimit të infektimit sepse këto vende frekuentohen më shumë nga persona në moshë të shtuar e që janë më të predispozuar nga rreziku i virusit.
Ai po ashtu bëri apel që qytetarët të dalin jashtë vetëm atëherë kur është e nevojshme, si në rastet kur duhet të furnizohen me gjërat esenciale dhe kjo të bëhet nga një anëtar i familjes.
“Format e tjera të ekspozimit janë të papranueshme. Nuk mund të tolerohet të mos ketë respektim ndaj vendimit të qeverisë. Ata që nuk e respektojnë duhet të shohin hartën e vendeve tjera që kanë ndodhur atje dhe të ngrisin vigjilencën”, u shpreh ai.
Kosova sot numëron 22 raste pozitive me Koronavirus, ndërkaq detajet nga masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë janë vi në vijim, të cilat Hoti i postoi në llogarinë e tij të Facebook-ut.
Njoftim për institucionet shëndetësore
Me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit Coronavirus COVID 19, i shpallur tashmë si kërcënim global i shëndetit publik, Ministria e Shëndetësisë ka sjellë sot vendim edhe për disa masa specifike për institucionet shëndetësore.
Këto masa janë:
Urdhërohen menjëherë Institucionet shëndetësore publike stomatologjike në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës të punojnë vetëm në raste urgjente respektivisht në menaxhimin e dhimbjeve dhe indikacionet për nxjerrje të dhëmbit; dhe të menaxhojnë stafin konform situatës aktuale;
Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha Institucionet shëndetësore private spitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës që ofrojnë shërbimet për rehabilitim fizikal dhe klimatik dhe shërbimet e terapisë fizikale me rehabilitim (Banja e Kllokotit, Nëna Naile dhe Onix Spa);
Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha Institucionet shëndetësore private jashtë spitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si ambulancat stomatologjike, ambulancat e terapisë fizikale dhe ambulancat specialistike të mjekësisë fizikale;
Sipas vendimit të Ministrisë, obligohet Inspektorati Shëndetësor të ndërmarrë veprimet e menjëhershme për zbatimin e këtij vendimi në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.






