Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Arben Vitia, ka treguar se shteti është duke e menaxhuar me vëmendje situatën me pandeminë dhe se i ka marrë të gjitha masat edhe për rastet nëse do të ketë shtim të numrit të të prekurve më koronavirus.
Ai mes tjerash tregoi se janë të gatshëm mbi 500 shtretër, dhe ky numër pritet të dyfishohet dhe se janë mbi 130 respiratorë që s’kanë pasur nevoje të përdoren e se pritet të rritet edhe numri i tyre.
Sipas ministrit, për të gjitha masat janë koordinuar ngushtë me zyrën e OBSH-se dhe me institucionet tjera serioze shëndetësore.
“Mirënjohje të veçante për angazhimin e madh të gjithë punonjësve shëndetësore”.
“Ne kërkojmë ndihmën tuaj të dashur qytetarë, sepse jemi në momente vendimtare për ta menaxhuar situatën dhe për këtë na duhet ndihma juaj”.
“Po e kërkojmë për hir të shëndetit tuaj dhe familjarëve tuaj dhe shëndetit tonë të përbashkët që t’i ndërmerrni masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës”.
“Nuk duam, nuk guxojmë dhe nuk do të lejojmë që neglizhenca e cilitdo t’i kushtojë shëndetit të popullatës së Kosovës”.
“Deri tani kemi treguar kulturë të lartë të vetëdijesimit. Mbani distance nga njëri tjetri, reduktoni daljet përveç rasteve emergjente”.
“Bashkërisht do ta kalojmë edhe këtë situatë”, u shpreh Vitia.
Ai deklaroi po ashtu se institucionet e Qeverisë së Kosovës obligohen të veprojnë konform planit të reagimit kombëtar, i cili sot do të hyjë në fuqi.






